Stojanoski: Para fillimit të vitit shkollor, Qeveria me masa konkrete për mbështetje të familjeve

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 gusht, Zhurnal.mk – Qeveria ka miratuar një vendim për uljen e çmimeve të materialeve shkollore, i cili do të vlejë deri më 30 shtator, me qëllim lehtësimin e buxhetit familjar para fillimit të vitit të ri shkollor.

Në konferencën e sotme për media, deputeti i VMRO‑DPMNE‑së, Bojan Stojanoski, informoi se me këtë masë tregtarët me shumicë obligohen të ulin çmimet për të paktën 10%, ndërsa tregtarët me pakicë për të paktën 15%.

“Kjo është mbështetje konkrete dhe direkte për familjet në periudhën kur prindërit kanë shpenzime të shtuara për përgatitjen e fëmijëve për vitin e ri shkollor. Për familjet me më shumë se një nxënës kjo do të thotë ndihmë e konsiderueshme dhe kursim në buxhetin familjar”, tha Stojanoski.

Masa përfshin: çanta, fletore, blloqe, kolazhe, lapsa, stilolapsa, ngjyra, plastelinë, markerë, vizore dhe materiale didaktike.

Deputeti kujtoi se kjo është viti i tretë me radhë që zbatohet “shporta shkollore” për të ulur shpenzimet e shtatorit.

“Qëllimi i Qeverisë është i qartë – prindërit të sigurojnë materialet e nevojshme për fëmijët e tyre me çmime më të ulëta dhe më të përballueshme. Kjo politikë synon të mbrojë standardin jetësor të qytetarëve”, theksoi ai.

Stojanoski shtoi se fillimi i vitit shkollor duhet të jetë periudhë gëzimi dhe jo stresi për familjet:

“Shtatori duhet të jetë moment i lumtur për nxënësit dhe prindërit, jo periudhë e brengës për shpenzimet. Prandaj Qeveria vazhdon me politika që sjellin përfitime konkrete për qytetarët”, përfundoi ai.

artikuj të ndërlidhura