“12 ditë luftë mbi Kalanë e Tetovës”, fillimi i rezistencës së UÇK-së

Nga Xh M
1,469 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 13 mars – Në malësinë e Sharrit dhe mbi Kalanë historike të Tetovës nisi një kapitull i ri i rezistencës shqiptare. Një kompani e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), e udhëhequr nga komandanti Ilaz Ceka – Qorri, u organizua në tre togje luftëtarësh që morën pozicione strategjike rreth Kalasë së Tetovës.

Në kuadër të kësaj kompanie, koordinatori i operativës ishte Ish Komandant Mala, pjesë e Kompanisë së Parë të Brigadës 112 Mujdin Aliu.

Togu i parë, me 14 luftëtarë dhe nën drejtimin e Izair Samiu – Baci, u vendos brenda Kalasë. Një grup tjetër, i udhëhequr nga Daut Rexhepi – Leka, mori pozicion në krahun e majtë të saj, në vendin e quajtur Stermoll. Ndërsa grupi i tretë, nën drejtimin e Hasim Bajrami – Puçi, u pozicionua në fshatin Gajre, duke mbrojtur krahun e djathtë të Kalasë.

Po atë ditë, në fshatin Sellcë u vendos edhe njësiti i parë i logjistikës së UÇK-së, i cili pati rol të rëndësishëm në mbështetjen e luftëtarëve në vijën e frontit.

Në paraditen e 14 marsit, rreth 30 luftëtarë shqiptarë krisën pushkën e parë të kësaj lufte. Jehona e saj u dëgjua jo vetëm në Tetovë, por në gjithë Maqedoninë. Në të njëjtën kohë, në sheshin e Tetovës zhvillohej edhe një protestë masive e shqiptarëve.

Përplasja e parë me forcat ushtarake dhe policore maqedonase zgjati rreth gjysmë ore. Sipas dëshmive të luftëtarëve, në fushën e betejës mbetën të dëmtuara dhe të djegura rreth 15 automjete ushtarake dhe policore. Pas kësaj, forcat shtetërore nisën granatime nga distanca drejt pozicioneve të UÇK-së në Kala.

Luftimet e ashpra vazhduan deri në orët e vona të natës. Qëndresa e luftëtarëve bëri që shumë të rinj shqiptarë t’i bashkoheshin radhëve të UÇK-së, duke u rreshtuar në luftë për liri dhe dinjitet.

Në agimin e 15 marsit, përplasjet u intensifikuan edhe më shumë, pasi në Tetovë u dërguan qindra ushtarë dhe policë nga pjesë të ndryshme të vendit. I gjithë arsenali ushtarak u përqendrua me synimin për të marrë kontrollin e Kalasë.

Megjithatë, luftëtarët shqiptarë vendosën të mos tërhiqeshin dhe të vazhdonin rezistencën.

Në këto luftime, më 15 mars 2001 ra dëshmori i parë i kësaj beteje, Servet Ferati nga fshati Llacë. Ai mbeti simbol i sakrificës dhe qëndresës për mbrojtjen e Kalasë së Tetovës. Bashkëluftëtarët e tij e varrosën me nderime ushtarake.

Me respekt dhe nderim për të gjithë luftëtarët e asaj lufte, për invalidët dhe në mënyrë të veçantë për familjet e dëshmorëve që sakrifikuan më të shtrenjtën për lirinë dhe dinjitetin kombëtar.

Lavdi dëshmorëve të kombit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër