Cili do të jetë fati i lopëve nga Kriva Pallanka?

Nga Xh M
1,219 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kriva Pallankë, 13 mars – Shteti planifikon t’i shesë lopët nga rajoni i Kriva Pallankës, të cilat aktualisht janë në pronësi të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, përmes një shpalljeje publike ku të drejtë pjesëmarrjeje do të kenë thertore dhe dyqane mishi të regjistruara.

Çështja e fatit të bagëtive u diskutua edhe në mbledhjen e fundit të Qeverisë, gjë që konfirmohet nga procesverbali i publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë.

Pas publikimit të vendimit, Televizioni 24 kërkoi qëndrim nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari. Nga kjo agjenci thonë se, në bazë të vendimit të Qeverisë, do të kryhen kontrolle për gjendjen shëndetësore të gjedheve të konfiskuara, pas së cilës do të përcaktohet vlera e tyre në treg dhe do të shpallet thirrje publike për t’i nxjerrë në shitje.

Sipas AUV-së, do të përcaktohet statusi shëndetësor i 81 kafshëve të konfiskuara dhe do të kryhen analiza për sëmundje në përputhje me Urdhrin vjetor për mbrojtjen shëndetësore të kafshëve. Pas realizimit të këtyre aktiviteteve dhe në përputhje me përfundimet e Qeverisë, do të caktohet vlera e tyre në treg dhe do të shpallet thirrje publike për shitjen e tyre. AUV do të sigurojë gjithashtu kushte për strehimin e përkohshëm të kafshëve sipas Ligjit për mirëqenien e kafshëve.

Televizioni 24 kërkoi mendim edhe nga disa organizata joqeveritare dhe aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve. Sipas tyre, kjo zgjidhje nuk duhet të jetë hapi i fundit. Ata propozojnë që, në vend që bagëtitë të përfundojnë në therje, ato të nxirren në një ankand publik ku fermerët dhe blegtorët do të mund të konkurrojnë për t’i marrë dhe për t’u kujdesur për to.

Sipas aktivistëve, lopët mund të gjejnë pronarë të rinj me çmime më të favorshme, në vend që – siç thonë ata – t’u caktohet menjëherë vdekja, sidomos duke pasur parasysh se për një kohë të gjatë kanë jetuar në kushte të vështira dhe të braktisura.

Televizioni 24 prej kohësh raporton për situatën në terren në rajonin e Kriva Pallankës. Në disa raste është kontaktuar edhe kryetari i komunës, Sashko Mitovski, i cili ka konfirmuar se rasti me lopët ka shkaktuar edhe mosmarrëveshje politike dhe presione mes pushtetit lokal dhe atij qendror.

Bagëtia, në një periudhë, ishte edhe shkak për ndalimin e disa prej ish-pronarëve, të cilëve Agjencia për Ushqim dhe Veterinari ua kishte hequr të drejtën e pronësisë në vitin 2024.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër