Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, informoi sot, se vetëm në tre mujorin e parë të 2026, janë punësuar 335 profesionistë të shkencave mjekësore teknike në rang vendi.
Në njoftimin e MShMS theksohet se “226 profesionistë të shkencave mjekësore teknike janë punësuar gjatë procesit të fundit të përzgjedhjes së aplikimeve në portalin “Infermierë për Shqipërinë”, një proces i orientuar drejt meritokracisë, transparencës dhe barazisë së mundësive për të gjithë profesionistët e shëndetësisë”.
Një prej fitueseve të kësaj platforme, Loreta Qamo shprehet se aplikoi në portalin “Infermierë për Shqipërinë” dhe në bazë të një procesi transparent, u vendos që të punësohet në Qendrën Shëndetësore Shkozë, ku do të shërbej si infermiere.
“Studimet bachelor i kam përfunduar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë” jam përzgjedhur në pozicionin e fizioterapistit në Qendrën Shëndetësore Rrogozhinë”, shprehet një tjetër i ri.
Ndërsa, Rajmonda Latollari thotë se ka përfunduar studimet për infermiere dhe përmes një procesi transparent u përzgjodh për t’u punësuar në QSUT.
“Unë jam Klevis Brahaj. Kam përfunduar studimet për infermier pranë Fakultetit Mjekësor të Shkencave Teknike. Aplikova në portal dhe, në bazë të një procesi transparent dhe meritokratik, arrita të punësohem pranë QSUT”, vijoi një tjetër i ri.
Ndërsa, studentja Bukuroshe Mato tha se ka përfunduar studimet për infermiere dhe pas aplikimit në portalin “Infermierë për Shqipërinë”, arriti të fitojë vendin e punës në QSUT.
Procesi i punësimit nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë” vijon të garantojë transparencë dhe meritokraci, duke forcuar çdo ditë sistemin shëndetësor me profesionistë të rinj dhe të përkushtuar.
Platforma “Infermierë për Shqipërinë” e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ofron mundësi reale punësimi për të gjithë infermierët që kanë përfunduar studimet e larta apo janë kualifikuar në këtë fushë për të kontribuar në shëndetin e qytetarëve.
