Shkup, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Ditën Botërore të Shkencës për Paqe dhe Zhvillim, 10 Nëntorin, këtë vit e shënojmë me rezultate të dukshme në veprimtarinë kërkimore-shkencore. Përparimin e ka evidentuar edhe Komisioni Evropian në Raportin për Progresin e shtetit për vitin 2026, duke vlerësuar se është arritur përparim i mirë në realizimin e objektivave të Planit të Veprimit të Strategjisë për Specializim të Mençur, përmes themelimit dhe vënies në funksion të Agjencisë për Inovacione, Zhvillim Shkencor-Teknologjik dhe Ndërmarrësi – INOVA, si dhe vazhdimit të pjesëmarrjes në programet evropiane për shkencë dhe inovacione.
Këto rezultate e konfirmojnë përkushtimin e Qeverisë dhe të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për nxitjen e kërkimeve shkencore dhe inovacioneve.
Kemi një qëllim të qartë: të forcojmë kapacitetet për veprimtari kërkimore-shkencore dhe të rrisim ndikimin e rezultateve shkencore mbi shoqërinë dhe ekonominë. Këtë e mbështesim përmes rritjes së vazhdueshme të buxhetit për shkencë, me qëllim që komunitetit shkencor t’i sigurojmë resurset dhe mbështetjen e nevojshme.
Buxheti i sivjetshëm arrin në një rekord prej 773 milionë denarësh, që paraqet rritje krahasuar me 680 milionë denarë vitin e kaluar dhe më shumë se dyfishim në raport me 380 milionë denarët e ndarë para dy vitesh. Rezultatet tashmë janë të dukshme. Vitin e kaluar mbështetëm rreth 50 projekte shkencore dyvjeçare, të cilat tani janë në fazën përfundimtare.
Ndërmorëm edhe aktivitete konkrete për rritjen e produktivitetit shkencor. Siguruam qasje falas në bazat kryesore globale të të dhënave shkencore “Web of Science” dhe “Scopus” për shkencëtarët dhe profesorët universitarë. Mbulojmë shpenzimet për publikimin e punimeve shkencore në revista me faktor ndikimi, për organizimin e konferencave shkencore vendore dhe pjesëmarrjen në konferenca ndërkombëtare, si dhe për botimin e përmbledhjeve shkencore.
Investojmë në mënyrë sistematike në shkencë dhe i heqim pengesat që punonjësit tanë shkencorë të mund të garojnë dhe të bashkëpunojnë në nivel global, ndërsa rezultatet e tyre të krijojnë vlerë të vërtetë në vend.
Prioriteti ynë strategjik mbetet zhvillimi i përshpejtuar i shkencës dhe pozicionimi më i mirë i universiteteve maqedonase në listat globale të renditjes.

