Shkup, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Ligji për Furnizime Publike rikthehet sot për shqyrtim në Kuvend, pasi presidentja Gordana Siljanovska-Davkova refuzoi të nënshkruajë dekretin për shpalljen e tij.
Për ndryshimet ligjore janë dorëzuar gjithsej 2.158 amendamente, pjesa më e madhe e të cilave nga LSDM-ja. Ndërkohë, shumica parlamentare propozon fshirjen e nenit 13, i cili parashikonte mundësinë e riemërimit të pakufizuar të anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Ankesa në Furnizimet Publike.
Presidentja kundërshtoi këtë dispozitë, duke vlerësuar se ajo mund të çojë në përqendrim të pushtetit dhe të rrezikojë sundimin e së drejtës.
Në seancën e sotme deputetët do të shqyrtojnë edhe ndryshimet në Buxhetin për vitin 2026, si dhe disa ligje të tjera.
Në rend dite është edhe marrëveshja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për zbatimin e kontrolleve të përbashkëta kufitare, e cila synon lehtësimin dhe përshpejtimin e qarkullimit të udhëtarëve dhe mallrave në pikat kufitare mes dy vendeve.

