Përpara fillimit zyrtar të Konferencës vjetore të OKB-së për Ndryshimet Klimatike, dhjetëra udhëheqës botërorë do të takohen sot dhe nesër, në Belém të Brazilit, për të diskutuar masat urgjente për të frenuar ngrohjen globale.
Udhëheqësit evropianë që marrin pjesë përfshijnë kancelarin gjerman, Friedrich Merz, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer, së bashku me zyrtarë të lartë nga Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara.
Mikpritësit brazilianë shpresojnë që samiti t’i japë vrull konferencës dyjavore të njohur si COP30, e cila zyrtarisht fillon të hënën me dhjetëra mijëra pjesëmarrës nga rreth 200 vende.
Presidenti Luiz Inácio Lula da Silva, i cili e ka quajtur atë “COP i së Vërtetës”, tha se konferenca synon të japë rezultate të prekshme.
Por, mjedisi politik është sfidues, luftërat dhe shqetësimet ekonomike dominojnë titujt kryesorë, perspektiva fiskale e shumë fuqive globale është e pasigurt në rastin më të mirë, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën drejtimin e Donald Trump po ecin përpara me axhendën e tyre të karburanteve fosile.
“Administrata Trump nuk ka ndërmend të dërgojë një delegacion të nivelit të lartë në COP30”, tha Shtëpia e Bardhë.
Udhëheqësit do të lançojnë sot zyrtarisht një fond të ri prej shumë miliardë dollarësh për të mbrojtur pyjet tropikale, të cilat veprojnë si “mushkëritë e gjelbra” të planetit.
Samiti do të lëshojë gjithashtu një thirrje të përbashkët për veprim për menaxhimin ndërkombëtar të zjarreve në pyje dhe do të promovojë iniciativën e Brazilit për lëndë djegëse të qëndrueshme, e cila synon të katërfishojë prodhimin dhe përdorimin deri në vitin 2035. Është planifikuar gjithashtu një deklaratë që adreson urinë, varfërinë dhe mbrojtjen e klimës.
