Ambasadori bullgar në Shkup pas sulmit: Pandëshkueshmëria nuk mundëson parandalim, por i inkurajon sulmet

nga Xh M

Shkup, 11 janar – “Sulmi është kryer sot, rreth orës 12:20 sipas kohës lokale. Autori është regjistruar nga kamerat e sigurisë – shihet se si i afrohet me qëllim derës hyrëse të ambasadës me një mjet të rëndë dhe të mprehtë, godet dhe më pas largohet në një drejtim tjetër. Bëhet fjalë për xham të përforcuar, vitrinë e derës hyrëse. Është xham i dyfishtë, kemi një nivel të mirë sigurie. Ai ka arritur të thyejë vetëm xhamin e parë mbrojtës dhe me gjasë për këtë arsye sulmi nuk ka vazhduar, sepse ka parë se më pas kishte edhe sisteme të tjera mbrojtëse”, deklaroi për BNT Zhelyazko Radukov, ambasador i Bullgarisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, transmeton Tribuna.

I pyetur nëse mendon se sulmi i sotëm është rezultat i gjuhës së urrejtjes që prej një kohe të gjatë ekziston në RMV ndaj Bullgarisë, ai u përgjigj:

“Nuk jam i sigurt nëse është rezultat i eskalimit të fundit. Kjo gjuhë urrejtjeje dhe manipulim me të vërtetën, për ta thënë në mënyrë diplomatike, lidhur me temën Bullgaria, vazhdon tashmë prej dekadash. Ky veprim e zgjeron rrethin e autorëve potencialë të sulmeve të tilla. Nëse personi është ndjerë i inkurajuar nga kjo gjuhë në javët e fundit apo edhe më herët – në këtë rast është e parëndësishme. Problemi është se numri i njerëzve si ai vazhdimisht rritet pikërisht si pasojë e këtij narrativi të krijuar me qëllim.”

“Nëse gjuha e urrejtjes e zgjeron rrethin e autorëve potencialë, atëherë kjo pandëshkueshmëri e krimeve kundër komunitetit bullgar ose e krimeve kundër objekteve dhe figurave të lidhura me Bullgarinë nuk lejon krijimin e parandalimit, përkundrazi. U tregon autorëve potencialë se nuk ka problem me këtë lloj sjelljeje dhe me këtë lloj krimi. Do t’ju kujtoj se vitet e fundit kemi pasur sulme ndaj bullgarëve, kemi pasur të shtëna me armë, kemi pasur sulm me sëpatë. Të gjitha këto ose nuk janë hetuar në mënyrë efektive, prandaj nuk kanë përfunduar në gjykatë, ose dënimet kanë qenë aq të vogla sa praktikisht e bëjnë të pakuptimtë termin ‘parandalim’, përkundrazi – i inkurajojnë këto lloj sulmesh. Dhe kjo, sigurisht, është shqetësuese. Jo aq për punonjësit e ambasadës sonë, të cilët me vetëdije të plotë kanë bërë zgjedhjen të vijnë dhe të punojnë për Bullgarinë këtu, por më shumë shqetësohem për anëtarët e komunitetit bullgar, të cilët nuk e kanë mbrojtjen që e kemi ne”, deklaroi Radukov.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More