Sulejman Pitarka, mjeshtri i skenës dhe ekranit shqiptar

nga D. V.

Më 2 shkurt 1924 lindi në Dibër aktori i mirënjohur i skenës dhe i ekranit, Sulejman Pitarka.

Përvojat e para skenike të Pitarkës ishin sporadike. Gjatë shërbimit ushtarak në vitet 1945-1947, u përfshi në lëvizjen amatore të Durrësit, qytet ku familja e tij ishte shpërngulur qëkurse Sulejmani ishte në moshën 3-vjeçare. Pas mbarimit të shkollës së mesme, filloi punë në bankë. Bëhet pjesë e Teatrit Popullor në vitin 1951 dhe spikat menjëherë me rolin e tij në komedinë “Prefekti” dhe dramën “Halili dhe Hajrija”.

Ai ka luajtur me sukses 70 role në teatër dhe 20 të tjerë në kinematografi. Ka hyrë në historinë e dramës shqipe si autor i dramës “Familja e peshkatarit”.

Midis viteve ’50-’60, interpretoi në tri vepra të Shekspirit: “Otello”, “Gratë gazmore të Uindsorit” dhe “Hamleti”. Pitarka pati sukses dhe në rolet në veprat e dramaturgjisë shqiptare si: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Karavidhet”, “Zonja nga qyteti” etj. Roli i tij i fundit në teatër ishte në dramën “Pjata e drunjtë”, në vitin 2005, një shfaqje mjaft e njohur dhe e dashur për publikun.

Sulejman Pitarka mbahet mend në petkun e Zheleznovit në filmin “Ballë për ballë” (1979), të Xha Avdiut te “Gjeneral gramafoni” (1978), të Xha Lipes te “Pas gjurmëve” (1978) dhe të gjeneralit te “Gunat përmbi tela” (1977), ku u vlerësua nga kritika për portretizimin origjinal të personazheve.

Për meritat e tij artistike, Pitarkës i janë akorduar titujt e lartë “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh”.

U nda nga jeta më 24 mars 2007.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More