Shkup, 26 nëntor, Zhurnal.mk – Teatri Shqiptar në Shkup mbrëmjen e kaluar u shndërrua në një skenë të muzikës dhe kulturës shqiptare, ku këngëtarët Miranda Hashani dhe Selami Kolonja sollën një program të veçantë artistik me rastin e festave të Nëntorit.
Përmes melodive dhe këngëve shqipe, publiku përjetoi një mbrëmje të mbushur me emocione, duke festuar historinë, identitetin dhe traditën shqiptare.
Për këtë aktivitet ka shkruar edhe kryetari i Komunës së Çairit dhe bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, i cili theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të kulturës shqiptare në këto ditë festive.
Mexhiti rikujtoi se këtë Nëntor shënohet edhe 20-vjetori i vendosjes së shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Çair, duke e cilësuar mbrëmjen muzikore si një tjetër mënyrë për të nderuar historinë dhe simbolet kombëtare.
Ai theksoi se muzika dhe kultura mbeten ura që bashkojnë shqiptarët dhe mbajnë gjallë identitetin e tyre kombëtar./Zhurnal.mk
