Drejtori i Zyrës për Europën dhe Azinë në Byronë e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) të Departamentit Amerikan të Shtetit, Mark Tervakoski, zhvilloi një vizitë në Tiranë, ku u takua me përfaqësues të institucioneve të zbatimit të ligjit, sistemit të drejtësisë, shoqërisë civile dhe misioneve ndërkombëtare në Shqipëri.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, zyrtari i lartë amerikan u takua me Presidentin Bajram Begaj, ministren e Brendshme, Albana Koçiu, ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, si dhe me kreun e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodian Braho.
Sipas njoftimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, takimet theksuan forcën e partneritetit mes SHBA-së dhe Shqipërisë në fushën e zbatimit të ligjit, si dhe angazhimin e përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikimit të narkotikëve.
Gjatë vizitës, u riafirmua mbështetja e Shteteve të Bashkuara për forcimin e kapaciteteve të institucioneve shqiptare përmes ofrimit të ekspertizës, mjeteve dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm.
Sipas ambasadës, SHBA mbetet e përqendruar në bashkëpunimin me partnerët që ndajnë të njëjtin angazhim për të luftuar krimin e organizuar, i cili dëmton qytetarët, kërcënon kufijtë dhe cenon sigurinë kombëtare.
“Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara në ofrimin e aftësive, mjeteve dhe bashkëpunimit në Shqipëri dhe në rang global për partnerët që ndajnë angazhimin tonë për të luftuar kriminelët që dëmtojnë qytetarët e vendeve tona, kërcënojnë kufijtë tanë dhe cenojnë sigurinë tonë kombëtare”, citohet njoftimi i ambasadës.
Vizita e Tervakoskit rikonfirmon mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për përpjekjet e Shqipërisë në forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë.

