GJAKU, GJIRI DHE HARRESA!

nga D. V.

Nga Delvina KËRLUKU
Mos harrimi i historisë sonë në Kosovë nuk është vetëm detyrë morale‘është frymëmarrja jonë kolektive. Një popull që harron sakrificën, e lë veten pa rrënjë. Ndërsa një popull që kujton, bëhet lis që i përballon stuhitë.
Të parët tanë nuk na lanë pasuri të arta, por na lanë një trashëgimi që nuk matet me peshore: dinjitetin. Ata e mbajtën gjallë gjuhën, flamurin, këngën dhe besën në kohë kur errësira dukej më e fortë se drita. Në oda burrash e në djepa nënash u rrit ideja e lirisë. Në male e në burgje u farkëtua fjala “Kosovë” si thirrje e shenjtë.
Në këtë udhë të gjatë qëndrese, fjala artistike ishte pushkë e shpirtit. Nuk është rastësi që nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, (me në krye simbolin e rezistencës sonë, Adem Demaçi), u ngritën zëra që i dhanë letërsisë mision. Çmimi “Vepra letrare” që kam marrë në atë frymë’zim nuk është thjesht vlerësim personal, por është dëshmi se poezia mund të jetë atdhe. Unë i kam thurur vargje Kosovës me bërthamën e dhimbjes dhe të dashurisë që e gjejmë tek Ali Podrimja — ai që e bëri fjalën gur themeli dhe lot drite.
Por historia nuk shkruhet vetëm në libra. Ajo shkruhet në shtëpi të thjeshta, në djepa, në lotë e në gjinj nënash.
Në kohën e luftës, motra ime ishte me djep në shtëpinë tonë të fëmijërisë. Në njërin gji ushqente djalin e saj, Rronin. Në tjetrin — një foshnjë të humbur, të gjetur nga misionarët dhe të përcjellë në familjet shqiptare. Foshnja erdhi nga Kryqi i Kuq, e mbështjellë me një shami të lyer me baltë, si të ishte vetë toka e Kosovës që e kishte nxjerrë nga gjiri i saj.
E morëm legenin dhe e lamë me duart që na dridheshin. Ishte thuajse pa zë, si një fije jete e shuar. Por sapo u pastrua nga balta dhe uria, fytyra iu ndriçua. Lëshoi një britmë — aq sa mund të ulërijë një foshnje tre muajshe — një britmë që nuk ishte vetëm për ‘tambl’ (qumësht), por për jetë. Gjiri i motrës e ndali piskamën. Në atë çast, dashuria e një nëne shqiptare u bë strehë për dy fëmijë: për të vetin dhe për një tjetër, që kërkonte nënën e humbur në tokën e përgjakur të Kosovës.
Qamë. Qeshëm. Luajtëm me të. Shtëpia jonë u bë tempull shprese.
Pas një muaji, im atë, bashkë me shokët e tij që kishin dalë maleve, arritën ta gjenin nënën e foshnjës. Ajo ditë ishte ringjallje. Shtëpia jonë u lumturua për herë të dytë. Herën e parë, kur familja e strehuar tek ne “u ngjall” prej lajmit të dhënë nga Radio Televizioni Shqiptar se djali i tyre, Besniku, ishte gjallë. Ishte zëri që unë e dëgjova dhe ua kumtova prindërve. Ai lajm më ngriti peshë, si të më kishte dhënë krahë.
Këto nuk janë vetëm kujtime familjare. Janë kapituj të historisë sonë kombëtare. Kontributi për atdheun nuk është detyrim me ligj, është thirrje me zemër. Mirënjohja, megjithatë, duhet të ekzistojë. Jo për lavdi personale, por për drejtësi historike.
Sot shpesh thuhet se ambasadorët më të rëndësishëm janë politikanët. Ndoshta ata përfaqësojnë shtetin në tryeza diplomatike. Por poetët, shkrimtarët, nënat, baballarët e zakonshëm — ata janë ambasadorët e shpirtit të kombit. Politika ndërton marrëveshje, poezia ndërton kujtesë. Politika ndryshon me kohën, vargu mbetet.
Prandaj nuk duhet të harrojmë. As sakrificën e atyre që ranë. As tamblin e një nëne që shpëtoi dy jetë. As zërin e radios që ktheu shpresën. As fjalën e shkruar që e mbajti gjallë ëndrrën.
Kosova nuk është vetëm një hartë. Është një histori e larë me lot, e ushqyer me gji, e mbrojtur me pushkë dhe e përjetësuar me varg. Dhe kjo histori kërkon të kujtohet — çdo ditë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More