Borxhi publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ka pësuar rënie të ndjeshme gjatë dekadës së fundit, duke reflektuar përmirësim të qëndrueshmërisë fiskale dhe menaxhim më efikas të portofolit të borxhit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, raporti borxh/PBB ka zbritur nga 70,03% në vitin 2014 në 54,21% në vitin 2024 dhe 53,04% në vitin 2025 (të dhëna paraprake deri më 31 dhjetor 2025). Ulja e këtij treguesi sinjalizon se ekonomia është rritur me ritme më të shpejta se borxhi, duke forcuar balancat fiskale.
Në të njëjtën kohë, vihet re rënie e kostos së financimit. Yield-i mesatar i borxhit të brendshëm ka zbritur nga 4,56% në vitin 2024 në 4,23% në vitin 2025, ndërsa kostoja mesatare e borxhit të jashtëm ka rënë nga 3,70% në 3,53%.
Financimi me norma më të ulëta interesi kontribuon në optimizimin e shpenzimeve për shërbimin e borxhit.
Edhe struktura e portofolit paraqitet më e balancuar.
Borxhi i brendshëm përbën 59,4% të totalit, ndërsa borxhi i jashtëm 40,6%. Pesha e borxhit në valutë të huaj ka rënë në rreth 40%, nga rreth 42% më parë, duke reduktuar ekspozimin ndaj rrezikut valutor.
Një tjetër tregues i rëndësishëm është zgjatja e maturimit mesatar të borxhit të brendshëm, i cili ka arritur në 2,8 vite (1002 ditë) në vitin 2025, nga 1,7 vite (630 ditë) në vitin 2014 dhe 2,6 vite (923 ditë) në vitin 2024.
Rritja e jetëgjatësisë mesatare përmirëson profilin e rrezikut të rifinancimit dhe rrit qëndrueshmërinë e financave publike.

