Berisha: PD ka gati paketën për uljen e barrës fiskale mbi naftën

Nga D. V.
299 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se PD ka gati paketën për uljen e barrës fiskale mbi naftën.

Në një konferencë për mediet, Berisha renditi disa nga arsyet që sipas tij bëjnë që Shqipëria të ketë çmimin më të lartë të naftës se vendet e rajonit.

“Taksat e larta, kontrabanda dhe rezervat private janë faktorët madhorë që përcaktojnë çmimin stratosferik të naftës. Ky çmim që ka në bazë taksat më të larta, rreth 30 për qind më të larta se në vendet e BE-së, ka në bazë kontrabandën që arrin gjysmën e naftës të konsumuar të zhdoganuar në këtë vend, ka në bazë taksat e tjera të lidhura me magazinat e naftës, magazinat doganore të naftës, që rëndojnë jo vetëm ata që kanë automjetin”, tha Berisha.

Sipas tij, “çmimi i lartë i naftës nuk prek vetëm ata që kanë vetura, por prek çdo qytetar me çmimin e ushqimeve, sepse transporti transpozohet në rritjen e çmimit të ushqimeve”.

“Një seri ushqimesh që në procesin e përpunimit përdorin naftën, energjinë, transpozohen në çmim tek konsumatori. Çmimi i naftës pasqyrohet gjerësisht tek fermerët në bujqësi tek fermerët që nuk paguajnë dot për punimin e tokës”, shtoi ai.

Po ashtu Berisha tha se çmimi i naftës godet në mënyrë të ndjeshme çmimin e ushqimit për bagëtinë duke goditur kështu sektorin e blegtorisë.

Berisha theksoi se ulja e akcizës kur nafta tejkalon 220 lekë për litër, është një akt i papërgjegjshëm dhe një shpërfillje e madhe për qytetarët shqiptarë.

“PD ka gati paketën e programit të saj me të cilën ajo vendos mbi naftën të njëjtën ngarkesë fiskale që ka Maqedonia e Veriut dhe Kosova, ngarkesë e cila i lejon këto dy vende që nuk nxjerri asnjë litër naftë, të shesin naftën 60 për qind më lirë se në Shqipëri.
Dhe kjo paketë do të dorëzohet. Ne e kemi paraqitur para shqiptarëve, do e paraqesim prapë dhe i garantoj shqiptarët se ajo do bëhet realitet me ardhjen në pushtet të kësaj partie”, u shpreh Berisha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër