Arrestohet polici që kërkoi haraç për të “pajtuar” 2 palë në konflikt

Nga D. V.
377 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 prill, Zhurnal.mk – Një punonjës policie në Stacionin Policor të Strumicës, me inicialet K.Sh., është i dyshuar për veprën penale “keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar”. Gjyqtari i procedurës paraprake tashmë ka caktuar masa kujdesi ndaj tij.

Departamenti për Kontroll të Brendshëm në MPB ka dorëzuar padi penale me procedurë të shpejtë në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Paralelisht, do të kërkohet nisja e procedurës disiplinore dhe largimi i tij i menjëhershëm nga vendi i punës deri në përfundim të rastit.

​Sipas njoftimit nga MPB, polici K.Sh., ditën e shtunë (11 prill), teksa po trajtonte zyrtarisht një denoncim për prishje të rendit dhe qetësisë publike me sulm fizik, ka shfrytëzuar pozicionin e tij për të ndërmjetësuar një “zgjidhje të qetë” mes palëve. Ai u ka kërkuar atyre para në këmbim të tërheqjes së denoncimit.

​Pjesëmarrësit në konflikt kishin rënë dakord që pala denoncuese të paguante 1.000 euro për dëmshpërblim, por polici K.Sh. me iniciativën e tij e ka rritur shumën edhe për 200 euro të tjera, me pretendimin se ato ishin “shpenzime të procedurës”. Nga shuma totale prej 1.200 eurosh, polici i ka dorëzuar të dëmtuarit vetëm 700 euro, ndërsa pjesën tjetër prej 500 eurosh e ka mbajtur për vete, duke përfituar në mënyrë të paligjshme.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër