Shkup, 23 prill Zhurnal.mk – Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, në emisionin Debat në Shenja deklaroi se projektet infrastrukturore në vend po ecin me ritëm të lartë, duke theksuar përparimin në Korridorin 8 dhe realizimin e investimeve kapitale.
Ajo bëri të ditur se që nga marrja e mandatit, Ministria ka realizuar mbi 70% të investimeve kapitale, ndërsa në Korridorin 8 punimet po zhvillohen në të gjitha segmentet pa pengesa të mëdha. Sipas saj, procesi i shpronësimeve është pothuajse i përfunduar dhe aktivitetet në terren janë zhvilluar intensivisht, madje edhe gjatë stinës së dimrit.
Zekolli njoftoi se shumë shpejt pritet të nisin punimet edhe në segmentin Bukojqan–Kërçovë, për të cilin tashmë është realizuar procesi i tenderimit. Sa i përket segmentit Trebenishtë–Qafë Thanë, ajo theksoi se nuk ka problematika serioze, pavarësisht debatit publik. Sipas saj, sfidat lidhen me zbulimet e mundshme arkeologjike, për shkak se projekti fillestar nuk i kishte paraparë këto elemente, ndërsa aktualisht po shqyrtohet nëse do të ketë vetëm devijime të vogla në trase.
Në këtë kontekst, ajo theksoi se lidhja infrastrukturore me Strugën dhe segmenti drejt Qafë Thanës mbeten prioritete të padiskutueshme.
Duke folur për projektin e autostradës Shkup–Bllacë, Zekolli konfirmoi se punimet do të fillojnë së shpejti dhe se nuk do të ketë ndryshim të statusit të saj nga autostradë në rrugë ekspres. Ajo sqaroi se ndryshimi i projektimit do të rrezikonte humbjen e granteve dhe kredive ndërkombëtare, prandaj është vendosur që projekti të vazhdojë në formën ekzistuese, pavarësisht kostos së lartë.
Në lidhje me akuzat për mungesë transparence rreth një lokali në pronësi të saj, Zekolli theksoi se biznesin e ka trashëguar nga bashkëshorti dhe se nuk ka qenë menaxhere e tij. Ajo shtoi se çdo shërbim i ofruar për institucionet është faturuar dhe paguar në mënyrë të rregullt, ndërsa çështja tashmë është në shqyrtim nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit.
Zëvendësministrja akuzoi gjithashtu Bashkimi Demokratik për Integrim për sulme politike përmes mediave dhe portaleve, duke theksuar se është e gatshme të përballet me çdo përgjegjësi ligjore.
Në fund, ajo u ndal edhe te çështjet arsimore, duke shprehur mbështetje për studentët që kërkojnë zhvillimin e provimeve profesionale në gjuhën shqipe. Sipas saj, institucionet janë duke punuar për të gjetur zgjidhje konkrete dhe garantoi se këto kërkesa do të realizohen në të ardhmen e afërt.
