Shkup, 23 prill Zhurnal.mk – Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj një ish-presidenti të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) Muhamed Sejdini, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale – përvetësim në shërbim.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari gjatë periudhës nëntor–dhjetor 2024, në cilësinë e zyrtarit dhe president i FFM-së, ka siguruar përfitim të kundërligjshëm pasuror prej rreth 660 mijë eurosh për një person juridik nga Shkupi.
Hetimet lidhen me projektin e financuar nga UEFA përmes programit “HatTrick VI”, i dedikuar për revitalizimin e infrastrukturës sportive. Në këtë kuadër, FFM kishte marrë mjete të destinuara për ndërtimin e tribunës në stadiumin “Bilirani Izvori” në Ohër.
Pas procedurës së tenderimit dhe përzgjedhjes së ofertës më të favorshme për ndërtim në vlerë rreth 3.3 milionë euro pa TVSH, i dyshuari, sipas Prokurorisë, ka ndryshuar kushtet e kontratës pa autorizim të Bordit Drejtues, duke futur parashikimin për pagesë paraprake prej 20% të vlerës së kontratës.
Ky ndryshim është bërë pa kërkesë të operatorit ekonomik dhe pa parashikuar garanci ligjore për mjetet e dhëna si avans. Më pas, më 17.12.2024, me urdhër të tij janë transferuar rreth 660 mijë euro si pagesë paraprake te subjekti përfitues.
Prokuroria thekson se ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik për arratisje dhe mundësi ndikimi mbi dëshmitarët, ndaj ka propozuar që ndaj të dyshuarit të caktohet masa e paraburgimit dhe tashmë sipas asaj që mëson Agjencia e lajmeve Zhurnal, ai është vendosur në burgun e Shuto Orizares.
