Gjyljeta Berisha, shqiptarja pas suksesit të filmit “Fjord” që fitoi “Palmën e Artë” në Kanë

Nga D. V.
374 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Drama rumune “Fjord”, e shpërblyer me “Palmën e Artë” në Festivalin e Kanës nën regjinë e Christian Mungiu, ka edhe kontribut shqiptar në realizimin e saj.

Në ekipin e filmit ka qenë e angazhuar Gjyljeta Berisha, asistente e regjisë, e cila jeton dhe vepron në Norvegji.

Filmi i solli regjisorit rumun triumfin e dytë me çmimin prestigjioz në Kanë.

Pjesë e projektit ka qenë edhe një tjetër shqiptar nga Kosova, Alldin Dauti, i cili është kujdesur për efektet vizuale të filmit.

Të dy prej vitesh janë aktivë në industrinë skandinave të filmit dhe televizionit, ku kanë kontribuar në produksione të ndryshme.

“Fjord” trajton historinë e një çifti rumunësh fetarë që zhvendosen në Norvegji në kërkim të një jete më të mirë.

Megjithatë, ata përballen me autoritetet norvegjeze pas akuzave për abuzim ndaj fëmijëve, për shkak të metodave të ashpra të edukimit ndaj djalit të tyre. Ajo që në komunitetin e tyre në Rumani konsiderohej normale, në Norvegji shihet ndryshe.

Filmi trajton temat e emigracionit, fesë, përplasjes kulturore dhe kufirit mes disiplinës dhe dhunës në familje.

Kritika ndërkombëtare e ka vlerësuar “Fjord” si një nga dramat më të fuqishme emocionale të këtij edicioni të Kanës.

Në rolet kryesore luajnë aktorja norvegjeze Renate Reinsve, e njohur nga filmi “The Worst Person in the World”, si dhe Sebastian Stan, aktori me origjinë rumune që prej vitesh ka ndërtuar karrierë të suksesshme në Hollywood.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër