“Kemi nënshkruar kontrata me dy yje ndërkombëtarë” – kandidati presidencial i Realit ndez garën me premtimin e madh

Nga D. V.
369 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kandidati për president të Real Madridit, Enrique Riquelme, ka deklaruar se i ka gati dy transferime të mëdha për këtë verë nëse fiton zgjedhjet kundër Florentino Perez.

“Los Blancos” pritet të mbajnë zgjedhje presidenciale për herë të parë pas 20 vitesh, me Riquelmen që ka hyrë zyrtarisht në garë kundër presidentit aktual.

Riquelme prezantoi të shtunën garancinë bankare prej 187 milionë eurosh, çka i dha të drejtën për të kandiduar.

Zgjedhjet janë caktuar të mbahen më 7 qershor, ndërsa ai ka nisur menjëherë fushatën me një deklaratë ambicioze.

“Siç e kemi thënë edhe gjatë parakampanjës, do të kandidonim vetëm nëse kishim një projekt jashtëzakonisht të fuqishëm dhe frymëzues për madridistët… dhe ne e kemi atë. Do të prezantojmë projektin më të madh për anëtarët në 120 vitet e historisë së klubit – projektin më transformues në historinë e Real Madridit”, deklaroi Riquelme.

Ai nuk kurseu kritikat ndaj menaxhimit të fundit të Perezit, sidomos për rinovimin e stadiumit ‘Santiago Bernabeu Stadium’, i cili ka tejkaluar ndjeshëm buxhetin fillestar.

“Ulëset janë më të ngjeshura, më të vogla – duhet të largohesh 10 minuta para pushimit vetëm për të blerë një pije apo ushqim… Kjo është rinovimi pas 1.7 miliardë eurosh?”, ironizoi ai.Në një intervistë për ABC, të cituar nga Cadena Cope, Riquelme sfidoi publikisht Perezin për një debat televiziv.

Një tjetër pikë e nxehtë është ideja e Perezit për të shitur një përqindje të klubit dhe për t’i kthyer anëtarët në aksionarë, me arsyetimin për “mbrojtjen” e tyre si pronarë.

“Le ta sjellë propozimin e tij për privatizimin dhe unë do të debatoj publikisht për këtë – pse e mbështesim apo pse jo. Pastaj anëtarët do të vendosin vetë”, tha Riquelme, duke akuzuar Perezin se “gjithmonë i ka vendosur anëtarët në plan të fundit”.

Ai kritikoi gjithashtu shpenzimet e klubit, duke përmendur faktin se televizioni zyrtar i klubit, RMTV, kushton rreth 45 milionë euro në vit, ndërsa sipas tij klubi humbet rreth 80 milionë euro në sezon pa përfshirë shitjen e aseteve.

Sa i përket projektit sportiv, Riquelme bëri premtime të mëdha për tifozët madrilenë.

“Kemi nënshkruar me dy yje ndërkombëtare. Dy superlojtarë ndërkombëtarë do të luajnë për Real Madridin”, deklaroi ai, duke shtuar se emrat e tyre mund të zbulohen në javët në vijim.

Ai e përshkroi Jurgen Klopp si “një trajner fantastik”, ndërsa e quajti shkarkimin e Xabi Alonso një gabim të madh.

Sipas raportimeve të RadioMarca, Klopp është objektivi kryesor i Riquelmes për stolin, megjithëse alternativa më reale mbetet legjenda e klubit Raul Gonzalez, i cili është pa skuadër që prej largimit nga Castilla në vitin 2025.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër