Bruksel, 28 maj Zhurnal.mk – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i ka drejtuar kritika të ashpra Sllovenisë lidhur me mënyrën se si po i paraqet shpenzimet për mbrojtjen, duke e akuzuar se po i rrit artificialisht shifrat për të arritur pragun e dakorduar prej dy për qind të Bruto Prodhimit Vendor (BPV).
Në një letër dërguar kryeministrit teknik Robert Golob në fillim të muajit maj, Rutte ka theksuar se nivelet e ulëta të investimeve në mbrojtje “e minojnë sigurinë kolektive” në një periudhë krizash dhe tensionesh globale.
Sipas të dhënave që Sllovenia i ka dorëzuar NATO-s, vendi planifikon që në vitin 2025 të ndajë 2,01 për qind të BPV-së për mbrojtjen, duke shënuar rritje të konsiderueshme krahasuar me vitet e kaluara.
Megjithatë, sipas vlerësimeve të Aleancës, një pjesë e këtyre mjeteve nuk hyjnë në definicionin zyrtar të shpenzimeve ushtarake. NATO vlerëson se shpenzimet reale të mbrojtjes në Slloveni arrijnë rreth 1,6 për qind të BPV-së, ose afro 300 milionë euro më pak nga sa është raportuar zyrtarisht.
Në letrën e tij, Rutte ka kërkuar që Sllovenia urgjentisht të sigurojë më shumë mjete për mbrojtjen dhe në llogaritjet e saj të përfshijë vetëm shpenzimet që njihen zyrtarisht nga NATO.
Nga kabineti i kryeministrit Golob kanë konfirmuar pranimin e letrës, duke theksuar se qeveria aktuale ka siguruar financimin më të madh ndonjëherë për mbrojtjen dhe se për herë të parë po përmbushet objektivi prej dy për qind të BPV-së.
Qeveria sllovene ka argumentuar se ekzistojnë interpretime të ndryshme për atë se çfarë konsiderohet investim sigurie, duke përfshirë këtu investimet në infrastrukturë kritike, siguri kibernetike, siguri energjetike dhe mobilitet ushtarak.
Sipas rezolutës sllovene për zhvillimin e ushtrisë, vendi synon që deri në vitin 2030 t’i rrisë shpenzimet për mbrojtjen në tre për qind të BPV-së.
