Shkup, 1 qershor Zhurnal.mk – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, nga foltorja e Kuvendit të degës në Studeniçan ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se bëhet fjalë për një çështje të ndjeshme kombëtare që nuk duhet trajtuar me lehtësi.
Ahmeti tha se Marrëveshja e Ohrit është rezultat i sakrificave të mëdha dhe se për të kanë dhënë kontribut edhe shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria. Sipas tij, kjo marrëveshje ka siguruar përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, përfaqësimin e shqiptarëve në institucione, arsimin e lartë në gjuhën shqipe dhe avancimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve në vend.
“Marrëveshja e Ohrit nuk është ideale, por është kompromis që solli paqen dhe bashkëjetesën. Me të u siguruan të drejta që sot janë pjesë e realitetit institucional të shqiptarëve”, tha Ahmeti.
Duke iu drejtuar Kurtit, ai theksoi se qeveritë e drejtuara prej tij kanë kontribuar në forcimin e lidhjeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, duke përmendur njohjen e pavarësisë së Kosovës, projektet infrastrukturore dhe marrëveshjet bilaterale ndërmjet dy vendeve.
Ahmeti kritikoi edhe koalicionin VLEN, për të cilin tha se nuk gëzon legjitimitetin e shumicës së votuesve shqiptarë dhe se nuk ka arritur të mbrojë interesat kombëtare të shqiptarëve në qeveri.
Në fjalimin e tij, ai u bëri thirrje partive shqiptare që, siç u shpreh, të mos e përdorin çështjen kombëtare për interesa politike afatshkurtra, duke nënvizuar se të drejtat e shqiptarëve janë fituar me sakrifica dhe gjak të derdhur.
“Për kolltuk e për interesa të ngushta politike nuk duhet të shitet çështja kombëtare, sepse ajo është e shenjtë dhe e paguar me gjakun e dëshmorëve”, deklaroi Ahmeti.
