Hatixhe Ismaili nga “Radio Shkupi”: OEMVP e padrejtë ndaj mediave që e kanë mbështetur me vite

Nga R.ZH
1,060 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 3 qershor, Zhurnal.mk – Gazetarja e ekonomisë, njëherësh redaktore e emisionit “Ekonomia” në Radio Shkupi, Hatixhe Ismaili, ka reaguar ndaj qasjes selektive të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), e cila gjatë shënimit të jubileut të saj të 20-të nuk e ka përfillur median që për vite me radhë ka qenë mbështetëse e aktiviteteve të saj.

Ismaili thekson se në kohën kur askush nuk i kushtonte vëmendje kësaj organizate, madje kur disa media e kundërshtonin dhe e sabotonin, Radio Shkupi ishte mediumi që e priti me dyer të hapura dhe i dha hapësirë të vazhdueshme.

“Kur shumë dyer ishin të mbyllura për Odën, Radio Shkupi e mbajti derën gjithmonë të hapur.

Me rastin e 20-vjetorit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, dua të shpreh urimet e mia të sinqerta për këtë jubile të rëndësishëm.

Por, njëkohësisht, nuk mund të mos kujtoj vitet e para të saj. Në kohën kur Oda po hidhte hapat e parë, shumë dyer ishin të mbyllura. Kishte media që nuk e mbështetën, madje edhe e kundërshtuan ekzistencën dhe misionin e saj.

Në ato kohë, Radio Shkupi ishte ndër të paktat media që e mbajti derën gjithmonë të hapur. Pa hezitim, me profesionalizëm dhe përkushtim, ajo përcolli aktivitetet, iniciativat dhe sfidat e Odës, duke qenë pranë saj kur kjo mbështetje kishte më së shumti nevojë.

Prandaj, është e vështirë të kuptohet se si sot vlerësohen ata që dikur qëndruan anash, ndërsa harrohen ata që ishin pranë që nga fillimi. Megjithatë, Odës i uroj suksese të mëtejshme dhe shpresoj që në të ardhmen të mos harrohen ata që i qëndruan pranë kur rruga ishte më e vështirë.”, thuhet në reagimin e saj.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër