Shkup, 7 qeshor Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se në periudhën e ardhshme pritet të nisë procesi i rikonstruktimit të Qeverisë, duke theksuar se puna e secilit funksionar do të jetë objekt vlerësimi.
Duke folur pas përfundimit të Panairit të Librit, Mexhiti tha se tashmë janë zhvilluar bisedime me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe se është arritur dakordim për realizimin e rikonstruktimit qeveritar. Sipas tij, në takimet e ardhshme do të përcaktohen parimet dhe kriteret mbi të cilat do të zhvillohet ky proces.
Ai nënvizoi se brenda VLEN-it po bëhen analiza të vazhdueshme për performancën e funksionarëve, ndërsa shtoi se ata që kanë treguar rezultate do të vazhdojnë të kenë mbështetjen e koalicionit. Në të njëjtën kohë, Mexhiti theksoi se kuadrot që nuk kanë përmbushur pritshmëritë mund të zëvendësohen me figura të reja dhe më të përgatitura.
Sipas tij, qëllimi i ndryshimeve është forcimi i institucioneve dhe përmirësimi i efikasitetit të punës së Qeverisë përmes angazhimit të kuadrove që mund të sjellin rezultate më të mira.
