Shkup, 8 qershor Zhurnal.mk – Gjykata Themelore Penale ka marrë vendim për të liruar Zoran Jovanov, babain e Vasil Jovanov, i cili kishte qenë i akuzuar në lidhje me aksidentin tragjik ku humbi jetën Frosina Kullakova në bulevardin “Aradhet partizane” në Shkup,
Sipas aktgjykimit, gjykata vlerësoi se përgjegjësia penale nuk mund të bazohet vetëm në faktin se ai ishte pronar i automjetit, ndërsa djali i tij i rritur e drejtonte atë pa leje drejtimi.
Gjykata theksoi parimin e përgjegjësisë personale dhe individuale në të drejtën penale. Në vendim thuhet se shkaktar i drejtpërdrejtë i aksidentit ishte vetë drejtuesi i automjetit, ndërsa veprimet e tij nuk mund t’i atribuohen automatikisht pronarit të mjetit.
Prokuroria gjatë procedurës kishte bërë rikualifikim të veprës penale në “rrezikim të sigurisë në trafik”, ndërsa vendimi përfundimtar u shqiptua nga gjykata kompetente, e cila më herët kishte dënuar edhe vetë Vasil Jovanovin për aksidentin.
