Ish menaxheri i hotelit zbulon detaje interesante, pas shumë vitesh si iku nga Ohri ish kryeministri Gruevski

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Ohër, 8 qershor Zhurnal.mk – Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, nuk e kishte nisur arratisjen drejt Hungarisë nga shtëpia e tij, por nga një hotel në Ohër. Kështu pretendon sportisti i njohur dhe ish-menaxheri i hotelit “Royal View”, Aleksandar Malenko, gjatë një paraqitjeje në podkastin “Na Kavga so Ivan”.

Sipas Malenkos, Gruevski u largua nga hoteli i vendosur në brigjet e Liqenit të Ohrit rreth orës 02:40 të mëngjesit më 10 nëntor 2018. Ai thotë se personalisht e kishte hapur derën e garazhit për automjetin me të cilin u nis ish-kryeministri.

“Në një moment, rreth orës 02:37 ose 02:40, u hap garazhi. Unë e hapa. Njerëzit nga rrethi i tij i sigurimit kërkuan të dilnin dhe u larguan”, deklaroi Malenko.

Sipas tij, Gruevski kishte mbërritur në hotel tri ditë më herët së bashku me familjen dhe shoqëruesit e tij. Ai pretendon se ish-kryeministri ishte akomoduar me bashkëshorten dhe vajzat, ndërsa e shoqëronin dy automjete – një me sigurimin personal dhe një tjetër me pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Më 7 nëntor, pas mesnate, mbërritën në hotel. Ishin paralajmëruar paraprakisht nga MPB-ja. Erdhën me dy automjete, njëri prej tyre ishte i MPB-së, ndërsa tjetri automjeti privat i Gruevskit me shofer dhe sigurim”, tha Malenko.

Ai shton se familja e Gruevskit nuk u largua me të, por vazhdoi qëndrimin në hotel edhe pas nisjes së tij.

Gruevski u arratis në Hungari në nëntor të vitit 2018, pak para se të vuante dënimin me burg. Autoritetet e vendeve fqinje njoftuan se ai kishte kaluar përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë për të mbërritur në Budapest, ku më pas fitoi azil politik.

Në muajt e fundit është rikthyer në opinion çështja e mundësisë së ekstradimit të tij, por ndërkohë është bërë e ditur se Gruevski posedon edhe shtetësi hungareze, të fituar në vitin 2022.

artikuj të ndërlidhura