Qeveria propozon ligj të ri për posedimin e armëve: Një person fizik do të mund të posedojë maksimumi dhjetë copë armë me leje

Nga I.A
1,435 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 qershor, Zhurnal.mk –  Qeveria ka dorëzuar në Kuvend një projektligj të ri për armët, me të cilin zëvendësohet plotësisht ligji aktual që është në fuqi që nga viti 2005.

Sipas zgjidhjes së propozuar, një person fizik do të mund të posedojë maksimumi dhjetë copë armë me leje. Përjashtim do të kenë sportistët aktivë të qitjes që plotësojnë kushtet ligjore.

Me kategoritë e reja, në kategorinë e armëve të ndaluara futen armët automatike, paralizuesit elektrikë, armët me gaz, armët e maskuara si objekte të tjera, disa lloje municioni ushtarak, si dhe një pjesë e armëve gjysmë-automatike me karikatorë me kapacitet të madh.

Pistoletat, revolverët, pushkët e gjuetisë dhe sportit, si dhe disa lloje armësh pneumatike, do të mund të blihen vetëm me miratim paraprak nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Projektligji për herë të parë rregullon më në detaje edhe pajisjet Airsoft dhe Paintball, të cilat do të duhet të regjistrohen dhe evidentohen. Në të njëjtën kategori përfshihen edhe lëshuesit e sprejit me piper, si dhe armët e çaktivizuara.

Risi parashikohen edhe për municionin. Një person fizik do të mund të blejë maksimumi 500 fishekë në vit për armët me tytë të gdhendura, përveç nëse dëshmon nevojë të arsyeshme për sasi më të madhe.

Në projektligj parashikohet edhe leja evropiane për armët e zjarrit, si dokument për pronësi dhe përdorim të armëve sipas standardeve evropiane.

Ligji fut rregulla edhe për armët gjysmë të prodhuara, pjesët dhe vizatimet teknike për prodhim përmes printerëve 3D dhe makinave CNC, si dhe ndjekjen elektronike të armëve nga prodhuesi deri tek përdoruesi final. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër