Shkruan, Bexhet Musliu, Themelues i Agjencisë Zhurnal.mk
Shkup, 12 qershor, Zhurnal.mk – Një nga parimet themelore të qeverisjes së mirë është qasja dhe përgjigja e shpejt dhe drejtë ndaj qytetarit. Funksioni i ministrit nuk është privilegj, por përgjegjësi e kur funksionari bëhet i papërgjegjshëm e shndërron në privilegj. Të qenurit ministër nuk do të thotë distancim nga qytetarët, por obligim që të afron me hallet, problemet dhe nevojat e tyre.
Azir Aliu, me politikë merresh gjatë, ke shëtitur në funksione të ndryshme por duket që akoma këto dy koncepte nuk i ke kuptuar.
Politika është profesion që të jep detyrë e përgjegjësi, ndërkaq, funksioni është shërbim. Kur ke funksion je shërbëtor ose (tenton të bëhesh) je sundimtar, mes të artë nuk ka. Më mirë zgjedhe të parën bëhu shërbëtor pasi përfundimi sundimtarëve është edhe i shpejt edhe katastrofal.
Pikërisht për këtë arsye, gjithnjë e më shumë po dëgjohen ankesa dhe kritika nga qytetarët lidhur me mungesën e komunikimit nga ana e ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu.
Shumë qytetarë pretendojnë se me javë të tëra nuk arrijnë të marrin përgjigje për problemet e tyre, edhe kur bëhet fjalë për çështje që lidhen drejtpërdrejt me sistemin shëndetësor dhe nevojat e tyre jetike. Kjo indiferencë e jotja, Azir Aliu, zbeh edhe më shumë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të vendit.
Natyrisht, askush nuk pret që një ministër t’i zgjidhë personalisht të gjitha problemet e çdo qytetari. Por qytetarët kanë të drejtë të presin që institucionet të funksionojnë, që kërkesat e tyre të dëgjohen dhe që dikush të mbajë përgjegjësi për problemet që paraqiten. Kur komunikimi mungon, krijohet përshtypja se institucioni është larguar nga misioni i tij themelor. Ne e dimë që ju nuk keni shkop magjik, por e dimë që edhe shurdh memec nuk jeni sepse keni folur e dëgjuar mjaftueshëm në fushatë, tani është koha që të dëgjosh e veprosh të zgjidhësh halle pasi je në krye të detyrës.
Shqetësimet nuk ndalen vetëm këtu….
Sipas informacioneve që po përpunohen nga Agjencia e Lajmeve Zhurnal, ekzistojnë pretendime për punësime në disa institucione shëndetësore ku, sipas burimeve, janë favorizuar kandidatë të caktuar përmes ndërhyrjeve dhe ndikimeve të ndryshme, ndërsa shumë të rinj që kanë përfunduar studimet prej vitesh vazhdojnë të presin mundësinë e parë për t’u punësuar. Pra, gjitha këto ankesa dhe shqetësime që lidhen me shëndetësinë janë të përditshme që arrijnë në redaksinë tonë.
Nëse këto pretendime rezultojnë të sakta, atëherë kemi të bëjmë me një problem shumë më të madh sesa mungesa e komunikimit.
Kemi të bëjmë me cenimin e parimit të meritokracisë, i cili duhet të jetë themel i çdo institucioni publik. Sepse, kështu me këtë qasje bie ndesh edhe me subjektin që i takon, ata po proklamojnë përparësi profesionalizmit e ekspertizës, ministri i tyre, dyshohet për favorizim të kandidatëve pa kaluar filtrat e duhura.
Kjo Qeveri shpesh bën thirrje që të rinjtë të mos largohen nga vendi. Dëgjojmë vazhdimisht mesazhe se po krijohen mundësi të reja, se po investohet në të ardhmen e tyre dhe se vendi ka nevojë për kuadrot e reja, posaçërisht në shëndetësi. Por këto mesazhe humbin peshën e tyre kur të rinjtë shohin se diploma, përkushtimi dhe rezultatet nuk janë gjithmonë faktorët vendimtarë për të siguruar një vend pune. Ajo që të duhet është të kesh mbiemrin Aliu, apo ta kesh numrin e ndonjë ministri. Këtë ju e keni luftuar me fjalë tani mos na sjellni në kujtesë të njëjtin film në vepër.
Një i ri nuk largohet nga vendi vetëm për shkak të pagës. Ai largohet kur humb besimin se mund të ecë përpara me punë dhe meritë.
Largohet kur bindet se mundësitë nuk janë të barabarta për të gjithë. Largohet kur sheh se dikush tjetër avancon më shpejt jo për shkak të aftësive, por për shkak të lidhjeve. Kjo qasje është kancer i meritokracisë, dhe lë pasoja afatgjate.
Prandaj, Azir Aliu (ministër), dhe çdo funksionar publik duhet të kuptojnë se posti që mbajnë nuk është vetëm titull administrativ. Ai është përgjegjësi ndaj qytetarëve, ndaj të rinjve që kërkojnë shpresë dhe ndaj familjeve që presin drejtësi dhe trajtim të barabartë.
Ne e dimë që ju dhe familja juaj në rast të ndonjë fatkeqësie mund të trajtoheni edhe jashtë vendit, por jo të gjithë e kanë këtë luks.
E ke thënë me gojën plotë që fëmijët tu arsimohen jashtë vendit, kjo nënkupton që ti si prind nuk i beson institucioneve arsimore vendore për të arsimuar fëmijët brenda vendit. Por, tani të lutem mos na shkatërro edhe shëndetësinë. Sepse, jo të gjithë kanë mundësi të arsimohen e mjekohen jashtë vendit.
Institucionet nuk fitojnë besimin e qytetarëve me konferenca për shtyp apo deklarata boshe politike. Besimi fitohet me transparencë, me komunikim, me qasje të barabartë dhe me vendime që bindin qytetarët se sistemi funksionon për të gjithë njësoj. Në fund të ditës, Ministria e Shëndetësisë nuk ekziston sa për ta bë dikë ministër, në këtë rast ty, por për tu shërbyer qytetarëve, sepse shërbimi shëndetësor është jetik dhe i patjetërsueshëm për çdo kategori shoqërore.
Nëse duam që të rinjtë të qëndrojnë në vendin e tyre, atëherë duhet t’u japim arsye për të besuar se e ardhmja e tyre varet nga aftësitë dhe puna e tyre, e jo nga emrat, lidhjet apo ndërhyrjet e dikujt tjetër. Të arsimojmë brezat e rinj brenda vendit e të mjekojmë të gjitha kategoritë në vend, sepse ndryshe, shndërrohemi shtet me dije të importuar nga jashtë dhe në lypsarë për të paguar shuma të majme për mjekim jashtë vendit.
