Rritje e qarkullimit në industri

Nga Xh M
821 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 qershor – Qarkullimi në industri në Maqedoninë e Veriut ka shënuar rritje prej 7.3 për qind në prill të vitit 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Sipas raportit, rritja është nxitur kryesisht nga tregjet e huaja, ku qarkullimi është rritur për 8.7 për qind, ndërsa në tregun vendor është regjistruar rritje prej 4.5 për qind.

Analiza sipas grupeve kryesore industriale tregon se rritja më e madhe është regjistruar te produktet kapitale, me 12.7 për qind, të ndjekura nga produktet intermediare, përveç energjisë, me 3.4 për qind, si dhe prodhimet jo të qëndrueshme për konsum të gjerë, me 4.5 për qind. Nga ana tjetër, prodhimet e qëndrueshme për konsum të gjerë kanë shënuar rënie prej 3.4 për qind.

Megjithatë, në krahasim me muajin mars, qarkullimi industrial në prill ka pësuar një rënie mujore prej 1.8 për qind.

Të dhënat e Entit tregojnë gjithashtu se në periudhën janar–prill 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, qarkullimi industrial është rritur për 0.2 për qind.

Ndër sektorët me performancën më të mirë veçohet prodhimi i makinerive dhe pajisjeve, me rritje prej 43.7 për qind, si dhe prodhimi i produkteve të duhanit, me 26.3 për qind. Në anën tjetër, rënia më e madhe është regjistruar në prodhimin e lëkurës dhe produkteve të lidhura me të, ku qarkullimi është ulur për 26.9 për qind.

Këto tregues sugjerojnë se industria vendase po vazhdon të mbështetet kryesisht në kërkesën nga tregjet e huaja, ndërsa disa sektorë prodhues po shfaqin ritme të larta rritjeje pavarësisht luhatjeve mujore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër