Zgjedhje të parakohshme apo të rregullta, kalkulimet e pushtetit dhe opozitës

Nga R.ZH
1,032 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 qershor, Zhurnal.mk – Pushteti nuk po mendon për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Qëllimi i tij është ta përmbyllë mandatin katërvjeçar dhe votimi për përbërjen e re parlamentare të mbahet në afatin e rregullt, në pranverën e vitit 2028. Megjithatë, nëse sfidohet nga opozita, do të ketë matje të parakohshme të forcave politike, deklaroi kryeministri.

Opozita kritikon se arka shtetërore është bosh dhe se pikërisht për këtë arsye pushteti dëshiron të shkojë në zgjedhje. Nga LSDM-ja, megjithatë, janë të prerë se nuk do t’i shërbejnë si alibi qeverisë.

“Cili Mickoski është i vërteti? Ai që dëshiron të qëndrojë në pushtet deri në fund të mandatit apo ai që tashmë po përgatitet për zgjedhje sepse nuk ka para në Buxhet dhe nuk mund ta mbajë pushtetin? Qytetarët tashmë e dinë se nuk mund t’i besojnë. Një ditë Mickoski thotë një gjë, ditën tjetër krejtësisht të kundërtën. Kjo nuk është strategji politike, por dëshmi e dobësisë, pasigurisë dhe faktit se pushteti po shpërbëhet nga brenda”, thuhet në reagimin e LSDM-së, transmeton Zhurnal.mk.

Sipas LSDM-së, kjo qeveri jo vetëm që po ndjek politika të këqija ekonomike, por po e shtyn vendin drejt izolimit. Ndërkaq, Mickoski, në prag të vizitës së paralajmëruar të eurokomisares për Zgjerim, Marta Kos, kujtoi takimet që ka zhvilluar me liderë evropianë gjatë dy muajve të fundit.

Javën e ardhshme pritet të nisin bisedimet mes partnerëve të koalicionit qeveritar për rindërtimin e Qeverisë. Është pothuajse e sigurt se do të ketë një zgjidhje të re kadrovike për resorin e Qeverisjes së Mirë pas dorëheqjes së Arben Fetai. Nga koalicioni VLEN dhe nga ZNAM presin t’i mbajnë resorët që aktualisht i drejtojnë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër