Mbahet takimi i parë i Grupit Koordinues për mbrojtje nga dhuna në familje, ndaj grave dhe me bazë gjinore

Nga D V
788 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 16 qershor, Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, njëherësh Koordinatore Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, hapi sot takimin e parë Ndër-Ministror kundër dhunës.

Sipas një njoftimi për media thuhet se në fjalën e saj hyrëse, Gërvalla deklaroi se Kosova ka bërë hapa fundamental në forcimin e mbrojtjes nga dhuna, progres i cili është reflektuar në forcimin e kornizës ligjore, në avancimin e politikave publike, në përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional, në zgjerimin e shërbimeve mbështetëse për viktimat, si dhe në rritjen e vetëdijesimit shoqëror për këtë fenomen.

Tutje në njoftim thuhet se ajo veçoi si një nga arritjet më të rëndësishme miratimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, si dhe rritjen e vetëdijes se pas çdo rasti qëndron një pritje e ligjshme që institucionet të veprojnë me profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përgjegjësi.

“Secila grua, secila vajzë, në fakt secili person që përballet me dhunë duhet ta dijë se institucionet do të jenë pranë tyre, se zëri i tyre do të dëgjohet dhe se siguria e tyre do të mbetet prioritet i yni”, tha Ministrja Gërvalla.

Duke folur për rolin e Grupit Koordinues, ajo theksoi se luftimi i dhunës nuk është përgjegjësi e një institucioni të vetëm, por kërkon koordinim të vazhdueshëm, vizion, bashkëpunim të ngushtë dhe angazhim të përbashkët nga të gjitha institucionet përgjegjëse.

“Me afrimin e përfundimit të Strategjisë Kombëtare 2022–2026, është e rëndësishme që të fillojmë planifikimin e prioriteteve të reja, duke u mbështetur në përvojën e deritanishme, në rekomandimet e partnerëve tanë dhe në nevojat reale të qytetarëve”, u shpreh Ministrja Gërvalla.

Në përmbyllje të takimit, Ministrja Gërvalla ritheksoi se suksesi në këtë fushë nuk matet me numrin e strategjive apo mekanizmave të krijuar, por me sigurinë që u ofrohet qytetarëve, besimin që ndërtohet dhe jetët që arrijmë të mbrojmë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër