Varshavë, 17 qershor, Zhurnal.mk – Gjermania dhe Polonia pritet të nënshkruajnë sot në Varshavë, një marrëveshje të re mbrojtjeje, duke forcuar bashkëpunimin ushtarak evropian, në një kohë tensionesh të larta me Rusinë dhe pasigurie, për angazhimin e ardhshëm të SHBA-së në Evropë, raportoi AP.
Marrëveshja parashikon bashkëpunim për sigurinë në rajonin e Detit Baltik, lëvizshmërinë ushtarake, infrastrukturën, mbrojtjen kibernetike dhe teknologjitë e reja.
Ajo konfirmon gjithashtu detyrimet e ndërsjella të mbrojtjes në kuadër të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Pas nisjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës në vitin 2022, marrëdhëniet mes dy vendeve janë bërë më pragmatike.
Polonia kërkon një rol më të madh të aleatëve evropianë, në mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s, ndërsa Gjermania po investon në modernizimin e ushtrisë së saj.
Ekspertët theksojnë se Gjermania ka një rol kyç në mbrojtjen e shteteve baltike dhe se bashkëpunimi me Poloninë, është thelbësor për sigurinë e rajonit.
Megjithatë, plagët historike vazhdojnë të ndikojnë në marrëdhëniet dypalëshe.
Çështja e kompensimit për dëmet e luftës (reparacioneve) për pushtimin nazist të Polonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, mbetet një temë e ndjeshme në politikën polake.
Në të njëjtën kohë, Varshava kërkon një rol më të madh në vendimmarrjen evropiane për çështje të sigurisë, veçanërisht lidhur me Ukrainën.
Zyrtarët polakë kanë kërkuar që vendi të përfshihet, më shumë në diskutimet strategjike për të ardhmen e rajonit.
Analistët vlerësojnë se rritja e fuqisë ekonomike dhe ushtarake të Polonisë, ka ndryshuar ekuilibrat në Evropë, duke e bërë atë një partner gjithnjë e më të rëndësishëm për Gjermaninë dhe NATO-n.
