Editorial / Gjuha e urrejtjes po e ndez fitilin midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë – politikanët të flasin me maturi!

Nga R.ZH
1,036 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 qershor, Zhurnal.mk – Marrëdhëniet diplomatike midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë çdo ditë e më shumë shkojnë duke u përkeqësuar. Edhe pse ditë më parë ministri i jashtëm Mucunski ishte në Sofje dhe u duk se ka një fije shprese për bashkëpunim, me djegien e dy veturave diplomatike para ambasadës bullgare në Shkup, situata ka eskaluar. Zëra nga Bullgaria kërkojnë që Maqedonia e Veriut të bllokohet tërësisht dhe mos të lejohet asnjë cent nga BE-ja të vij drejt Shkupit. Gjuha e urrejtjes është në rritje dhe kjo shkakton reagime të fuqishme në të dyja palët, prandaj politikanë duhet të flasin qetësisht dhe të japin mesazhe paqeje, shkruan “Zhurnal.mk”.

Maqedonisë së Veriut t’i ndalen të gjitha fondet nga BE-ja!

Deputeti bullgar, Angel Georgiev nga partia me qëndrime nacionaliste dhe kontraverse ndaj Maqedonisë, “Rilindja” në margjinat e Kuvendit të Bullgarisë në një koment për djegien e veturave diplomatike të ambasadës bullgare në Shkup, tha se do t’i propozojë kryeministrit Rumen Radev që t’i kërkon BE-së për të ndaluar të gjitha fondet evropiane për Maqedoninë e Veriut.

Georgiev ka thënë se BE-ja duhet t’i ndalojë absolutisht të gjitha fondet evropiane që ndahen për Republikën e Maqedonisë së Veriut, sepse kjo është e vetmja zgjidhje funksionale që do ta detyrojë Shkupin zyrtar të ndërmarrë reforma reale.

Ai thekson se Bullgaria është treguar e butë, prandaj Shkupi zyrtar nuk dëshiron të merret me ndryshimet Kushtetuese.

Incidentin e dënuan të gjithë, por la njollë të thellë

Incidenti që përfshin djegien e automjeteve përpara ambasadës bullgare në Shkup ka shkaktuar reagime të forta në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari, duke ngritur pyetje në lidhje me motivet dhe pasojat e mundshme për marrëdhëniet dypalëshe.

Policia reagoi shpejt dhe ndaloi një 44-vjeçar nga Shkupi, i cili është i dyshuar për incidentin. Marrja në pyetje duhet të zbulojë motivet e djegies së automjeteve.

Kryeministri Hristijan Mickoski dënoi incidentin në të cilin u dogjën automjete në pronësi të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shkup, duke vënë në dukje se autori i krimit u identifikua dhe u arrestua shpejt.

Ministria e Jashtme bullgare vlerësoi se zjarrvënia ishte rezultat i një fjalimi agresiv politik dhe nxitjes së urrejtjes, duke kritikuar reagimin e pamjaftueshëm institucional në rastet e mëparshme.

Sipas presidentes bullgare Iliana Jotova është shqetësuese që ky incident po ndodh në sfondin e “retorikës së vazhdueshme antibullgare dhe një atmosfere intolerance, e cila ka mbetur pa rezistencën e nevojshme institucionale për vite me radhë”, shkruan “Zhurnal.mk”.

Gjuha e urrejtjes do të rritë incidentet – politikanët të flasin me maturi!

Incidenti vjen në një kohë të ndjeshme në marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Mediat bullgare kanë raportuar gjerësisht për incidentin, duke kujtuar se ky është sulmi i dytë ndaj pronës diplomatike bullgare në Shkup në gjashtë muajt e fundit. Në janar 2026, xhami i objektit diplomatik u dëmtua. Më parë, pati një incident në klubin bullgar në Ohër.

Por, veprime të tilla si djegia e veturave diplomatike janë pasojë e drejtpërdrejtë e mbjelljes së urrejtjes dhe pandëshkueshmërisë nga të dyja anët.

Policia e Maqedonisë së Veriut por edhe ajo e Bullgarisë duhet të marrin veprime urgjente, transparente dhe efektive për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët dhe nxitësit e gjuhës së urrejtjes.

Shpejtësia dhe vendosmëria e reagimit është provë e qartë se secili shtet sa është i angazhuar që me paqe, mirëkuptim dhe angazhim dy palës t’i zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet të udhëhiqen nga parimet e sundimit të ligjit, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër