Tetovë, 19 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka njoftuar për përfundimin e asfaltimit të Rrugës 145, duke theksuar se investimet në infrastrukturën rrugore po vazhdojnë me synim përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët.
Përmes një postimi publik, Kasami bëri të ditur se Komuna po punon çdo ditë për ndërtimin e rrugëve më cilësore dhe zhvillimin e lagjeve të qytetit.
“Punojmë çdo ditë për rrugë më të mira dhe lagje më të zhvilluara. Asfaltimi i Rrugës 145 është një tjetër dëshmi drejt përmirësimit të infrastrukturës dhe rritjes së cilësisë së jetesës për qytetarët”, ka shkruar Kasami, transmeton Zhurnal.mk.
Sipas tij, investimet në infrastrukturë mbeten një nga prioritetet e pushtetit lokal, me qëllim krijimin e kushteve më të mira për lëvizjen e qytetarëve dhe zhvillimin e lagjeve në të gjithë territorin e Komunës së Tetovës.
