Avokati i Popullit Faton Selami vizitoi Burgun e Shkupit në Shutkë, hetohen pretendimet për dhunë ndaj të burgosurve

Nga Xh M
2,031 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 korrik Zhurnal.mk – Avokati i Popullit, Faton Selami, vizitoi sot Institucionin Ndëshkues-Përmirësues – Burgu i Shkupit në Shutkë, ku zhvilloi takime me drejtuesit e institucionit, por edhe me një pjesë të të burgosurve që kanë paraqitur pretendime për përdorim të dhunës gjatë kontrollit të djeshëm.

Nga Zyra e Avokatit të Popullit njoftuan se Selami, së bashku me ekipin e Mekanizmit për Kontroll Civil, u takua me drejtorin e burgut, Boban Utkovski, dhe zëvendësdrejtorin Baki Mustafi, me qëllim marrjen e informacioneve më të detajuara lidhur me kontrollin e kryer nga pjesëtarët e Njësisë së Intervenimit të Policisë së Burgjeve, e cila është nën kompetencë të drejtpërdrejtë të Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve.

Gjatë vizitës, Avokati i Popullit bisedoi drejtpërdrejt edhe me disa nga të burgosurit që ishin objekt i kontrollit.

Fokusi i bisedave ishte mënyra e veprimit të pjesëtarëve të njësisë gjatë kontrollit, përkatësisht nëse janë respektuar procedurat dhe standardet e përcaktuara me aktet përkatëse, si dhe nëse ka pasur tejkalim të kompetencave zyrtare apo përdorim të forcës së tepruar.

Nga Zyra e Avokatit të Popullit bëjnë të ditur se gjatë ditës së sotme ekipi i Mekanizmit për Kontroll Civil do të vazhdojë hetimin e rastit, ndërsa pas përfundimit të verifikimeve, Avokati i Popullit do ta informojë publikun për konstatimet dhe veprimet që do të ndërmerren.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër