Shkup, 9 korrik Zhurnal.mk – Leximi i parë i pakos së ligjeve për arsimin e lartë duket se nuk nisi mbarë në Komisionin parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Sport. Punimet u ndërprenë dy herë për shkak se deputetët e opozitës shqiptare kërkuan shtyrjen e mbledhjes për javën e ardhshme, kërkesë që nuk u miratua nga shumica e anëtarëve të këtij komisioni. Deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari tha për Alsat se shumica parlamentare po shkel procedurat për organizim të mbledhjeve që, sipas saj, pamundësojë pjesëmarrjen efektive të opozitës. Ajdari tha se njoftimi për mbledhjen është dërguar vetëm një ditë më parë, ndonëse Rregullorja, sipas saj, parasheh afat prej pesë ditësh pune për përgatitje. Ajdari shtoi se deputetët e opozitës ishin të detyruar të merrnin pjesë njëkohësisht në disa komisione parlamentare, gjë që, sipas Ajdarit, e pamundësoi shqyrtimin serioz të projektligjeve.
“Ky projekt ligj shkon me procedurë të rregulltë, në lexim të parë, të dytë dhe të tretë kështu që nuk e pamë të arsyeshme se pse me kaq ngut, një ditë përpara e thërrasin komisionin dhe kërkojnë që me patjetër ta kalojnë. Edhe fizikisht nuk mundeshim ta mbërrijmë të gjitha, t’i mbajmë, të jemi të përditësuar për atë se çfarë ndodhë në komisionet tjera sepse realisht po shkojnë pika të rendit të ditës që janë të rëndësishme. Unë mendoj se shumica parlamentare me tendencë e ka përcajtuar këtë periudhë duke pasur qëllimin përfundimtar që pak a shumë të na shpërqëndroj nga puna dhe që të mos jemi të vëmendshëm me atë që ata duan ta kalojnë me patjetër”, tha RRina Ajdari, deputete e Frontit Evropian.
Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani tha se pakoja e ligjeve të arsimit të lartë duhet miratuar, duke theksuar se ajo synon të rrisë cilësinë e arsimit të lartë dhe standardet akademike. Sipas tij, ligjet e reja do të kërkojnë angazhim më të madh nga stafi akademik në fushën e kërkimit shkencor dhe projekteve vendore e ndërkombëtare.
“Përfitime do të kenë edhe studentët. Përshembull, një përfitim që mund ta kenë studentët është studentët më të mirë që do të zgjidhen nëpër fakultete do ta kenë mundësinë menjëherë të punësohen nëpër institucionet e arsimit e të lartë..Edhe çështja e financimit do të përmirsohet në këtë rast përmes ligjit të ri. Universitetet që do të përformojnë më mir do të kenë mundësinë që të kenë më shumë mjete financiare dhe kjo sipas mendimit tonë e rrit konkurentshmërinë brenda universiteteve e konkurenca definitivisht sjell edhe kualitet më të madh”, theksoi Driton Sulejmani, zv ministër i Arsimit.
Pakoja e propozim ligjeve për arsim të lartë, për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe shkencë, si dhe për veprimtarinë kërkimore shkencore zhvillohet me procedurë të rregullt dhe duhet të kalojë të gjitha fazat e debatit parlamentar.
