Shkup, 13 korrik, Zhurnal.mk – Zëdhënësja e partisë opozitare, Bogdanka Kuzeska, thotë se paga e vëllait të Guvernatorit të Bankës Popullore është dyfishuar që në mars të vitit 2025, ndërsa kriteri i vetëm për këtë pozitë në M‑NAV ka qenë lidhja e tij partiake dhe familjare.
Në vend që të jenë shërbim për qytetarët, VMRO‑DPMNE dhe Hristijan Mickoski i kanë shndërruar institucionet në kompani private partiake për sistemim të familjarëve, të afërmve dhe kuadrove partiake, tha në konferencën për media në selinë e partisë zëdhënësja e SDSM‑së, Bogdanka Kuzeska.
Ajo deklaroi se, sipas informacioneve që disponojnë, Bordi Drejtues i Shoqërisë Aksionare për Navigacion Ajror e ka avancuar në mënyrë të paligjshme Sasho Slaveskin, vëllain e guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Slaveski, nga pozita e rojtarit të objektit në pozitën ndihmës për trajnim dhe koordinim në Seksionin për Informacion Ajror – AIS, si dhe anëtar të Bordit Drejtues.
Kuzeska tha se është skandaloze që avancimi ka ndodhur në fshehtësi në mars të vitit 2025, ndërsa publiku ka mësuar për këtë vetëm para disa ditësh, pasi anëtarët e Bordit Drejtues që e kanë zbatuar aktin e paligjshëm kanë marrë kallëzime penale. Me këtë vendim, sipas saj, paga e Sasho Slaveskit është dyfishuar – nga 50.000 denarë në rreth 100.000 denarë, me ç’rast për 14 muaj janë paguar në mënyrë të paligjshme mbi 7.000 euro, në dëm të drejtpërdrejtë të buxhetit të M‑NAV.
“Vetëm në VMRO një person që ka punuar si rojtar në M‑NAV bëhet anëtar i Bordit Drejtues të një institucioni që është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Maqedonisë. Nuk ka sistem, nuk ka kritere, nuk ka përzgjedhje, kualifikime, përvojë. Asgjë. Kriteri i vetëm është që është vëllai i Trajko Slaveskit dhe i afërt me VMRO‑në. Kështu M‑NAV, në vend që të kujdeset për sigurinë e hapësirës ajrore të Maqedonisë, është shndërruar në komitet partiak të VMRO‑së”, tha Kuzeska.
Nga SDSM akuzojnë se partia në pushtet është simbol i nepotizmit, punësimeve partiake dhe keqpërdorimit të institucioneve, dhe se raste të tilla janë arsyeja kryesore pse të rinjtë po largohen masivisht nga Maqedonia, të përballur me realitetin se njohuritë e tyre nuk vlerësohen dhe se sistemi funksionon ekskluzivisht për njerëzit e afërt me partinë.
“Prandaj VMRO nuk e dëshiron Bashkimin Evropian – sepse kjo do të thotë sundim të ligjit, institucione profesionale dhe sistem merite”, përfundoi ajo.
