Nesër nis gjykimi për sulmin ndaj Sarës në Ohër, 31-vjeçari akuzohet për tri vepra penale

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Ohër, 26 nëntor Zhurnal.mk – Në Gjykatën Themelore në Ohër, nesër në orën 11:00, do të nisë gjykimi kundër 31-vjeçarit Kristijan Koraboski, i akuzuar për sulmin fizik ndaj të dashurës së tij 26-vjeçare, S.Gj., e cila ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Procesin gjyqësor do ta udhëheqë gjykatësja Aleksandra Pop Stefanija. Sipas informacioneve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, incidenti ka ndodhur më 15 nëntor, rreth orës 02:00 pas mesnate. Sulmit fizik i kishte paraprirë një debat në shtëpinë e të akuzuarit, i cili kishte vazhduar edhe në automjet.

Sipas informacioneve policore, Koraboski e ka sulmuar fizikisht të dashurën e tij, ndërsa dhuna ka vazhduar edhe pasi ai e kishte ndalur automjetin, me ç’rast vajza kishte humbur vetëdijen.

E lënduara fillimisht ishte dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Ohrit, ndërsa më pas ishte transferuar në Spitalin Special „Shën Erazmo“, ku i ishin konstatuar lëndime të rënda trupore.

Prokuroria Themelore Publike në Ohër ka ngritur aktakuzë kundër Koraboskit për tri vepra penale: lëndim trupor, privim i kundërligjshëm nga liria dhe rrezikim i sigurisë.

Të akuzuarit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Gjatë procesit gjyqësor do të shqyrtohen rrethanat në të cilat ka ndodhur sulmi, si dhe përgjegjësia penale e të akuzuarit.

artikuj të ndërlidhura