Shkup, 17 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i Çairit sot ka mirëpritur këngëtarin, Ylli Limani, i cili do të performojë në Shkup. Mes tjerash Mexhiti njofton që bashkë me Limanin kanë vizituar edhe punimet që po zhvillohen për ndërtimin e kampusit të ri universitar, Nënë Tereza.
“Shkupi sot mirëpret një prej zërave më të spikatur të muzikës shqiptare. Para koncertit të tij, bashkë me Ylli Limanin vizituam Universitetin Nënë Tereza, ku pamë nga afër ecurinë e ndërtimit të kampusit universitar, një nga investimet më të mëdha në historinë e shtetit tonë për arsimin në gjuhën shqipe. Ishte simbolike që pikërisht aty të flisnim për të ardhmen e të rinjve dhe për rëndësinë e investimit te dija.
Biseduam për të rinjtë, për rëndësinë e krijimit të mundësive për ta dhe për projektet që po i realizojmë në funksion të rinisë shqiptare. Më bëri përshtypje fakti se, përtej suksesit si artist, Ylli është një i ri me kulturë, mendim të pjekur dhe një mënyrë të veçantë të të parit të gjërave.
Besoj se arti dhe kultura kanë një fuqi të jashtëzakonshme për të frymëzuar brezat e rinj, po aq sa edhe politikat e mira. Prandaj, artistë si Ylli janë më shumë se emra të suksesshëm në skenë; ata janë modele që ndikojnë te mijëra të rinj.
I urova një koncert të suksesshëm sonte në Shkup dhe shumë suksese në rrugëtimin e tij artistik.”, ka shkruar Mexhiti.
