Interkoneksioni 400 kV me Shqipërinë hyn në fazën përfundimtare, Latifi: Po ndërtojmë një lidhje strategjike energjetike

Nga R.ZH
891 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 korrik, Zhurnal.mk – Projekti strategjik i interkoneksionit 400 kV ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë po avancon sipas dinamikës së paraparë, ndërsa ndërtimi i nënstacionit 400 kV në Ohër ka hyrë në fazën përfundimtare. Kështu njoftoi drejtori i MEPSO-së, Burim Latifi, pas një inspektimi në terren të punimeve së bashku me ekipin e kompanisë, transmeton Zhurnal.mk.

Sipas Latifit, pas përfundimit të instalimit të pajisjeve primare dhe sekondare në nënstacionin e Ohrit, kanë nisur testimet operative dhe funksionale, të cilat përbëjnë hapin e fundit para vënies në funksion të këtij objekti energjetik.

Ai bëri të ditur se paralelisht po zhvillohen edhe punimet në linjën e transmetimit 400 kV Manastir–Elbasan. Aktualisht ka nisur montimi i shtyllave të para, disa prej të cilave tashmë janë ngritur, ndërsa puna vazhdon me intensitet edhe në lokacionet e tjera përgjatë trasesë.

“Dinamika e deritanishme e punimeve dëshmon përkushtimin për realizimin e projektit brenda afateve të planifikuara. Me përfundimin e këtij interkoneksioni do të krijohet një lidhje e re strategjike energjetike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duke forcuar sigurinë e rrjetit të transmetimit, rritur kapacitetet ndërkufitare dhe kontribuar në integrimin më të fuqishëm të tregut rajonal të energjisë”, theksoi Latifi.

Interkoneksioni 400 kV Maqedoni e Veriut–Shqipëri konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në sektorin energjetik, i cili pritet të përmirësojë ndërlidhjen e sistemeve të transmetimit të dy vendeve dhe të rrisë stabilitetin dhe fleksibilitetin e rrjetit rajonal të energjisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër