Zhupa i përgjigjet Ramës: Detyra e shtetit është të mbrojë më të pambrojturit, jo t’i poshtërojë

Nga Xh M
591 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 24 korrik Zhurnal.mk – Në një postim në rrjetet sociale, Zhupa e cilësoi kulm të cinizmit reagimin e kreut të qeverisë, duke theksuar se një nënë që del në protestë me fëmijën e saj me autizëm nuk e bën për politikë, por sepse ndihet e braktisur nga shteti.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me protestën ne të cilën ishte e pranishme edhe një nënë me fëmijën e saj me autizëm. Në një postim në rrjetet sociale, Zhupa e cilësoi kulm të cinizmit reagimin e kreut të qeverisë, duke theksuar se një nënë që del në protestë me fëmijën e saj me autizëm nuk e bën për politikë, por sepse ndihet e braktisur nga shteti.

Sipas Zhupës, detyra e një shteti është të mbrojë qytetarët më të pambrojtur dhe jo t’i poshtërojë ata. Ajo shtoi se kur një prind detyrohet të protestojë për të kërkuar minimumin për një jetë me dinjitet, problemi nuk është protesta, por qeverisja, duke akuzuar kryeministrin Rama për mungesë përgjegjësie dhe ndjeshmërie ndaj familjeve në nevojë.

Reagimi i plotë i Ina Zhupës:

Kulmi i cinizmit!

Kur një nënë del në protestë me fëmijën e saj me autizëm, nuk e bën për politikë. E bën sepse nuk ia del më të jetojë, sepse shteti e ka lënë vetëm, sepse ndihma nuk mjafton dhe dinjiteti i është mohuar.

Nuk e morën në proteste as korbat e as sorrat. Paratë e saj dhe të mijëra familjeve sot në nevojë, i kanë marrë derrat e majmur të pushtetit, ata që prej vitesh qeverisin pa u interesuar për hallet e qytetarëve. Dhe pasi u kanë vjedhur të ardhmen, tani duan t’u mohojnë edhe të drejtën kushtetuese për të protestuar, duke i dhunuar me polici.

Vetë prania e asaj nëne me fëmijën e saj dëshmoi qartë se protestuesit nuk përbënin asnjë rrezik. Asgjë nuk e justifikon sjelljen brutale dhe të paligjshme të Policisë së Shtetit ndaj qytetarëve që ushtronin një të drejtë demokratike.

Një kryeministër që duhet të mbante përgjegjësi pse një nënë me një fëmijë me autizëm detyrohet të dalë në rrugë për t’u dëgjuar, zgjedh të sulmojë qytetarët që i dhanë mbështetje dhe ta etiketojë atë si të manipuluar. Kjo nuk është vetëm mungesë përgjegjësie; është humbje e plotë e ndjeshmërisë njerëzore.

Detyra e një shteti është të mbrojë më të pambrojturit, jo t’i poshtërojë ata. Kur një nënë me një fëmijë me autizëm ndihet e detyruar të protestojë për të kërkuar minimumin për një jetë me dinjitet, problemi nuk është protesta. Problemi është qeverisja. Problemi është Edi Rama që nuk do ta kuptojë që i ka ardhur fundi”, shkruan ajo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër