Avioni i „Qantas“ fluturoi më shumë se 24 orë nga Australia në Francë dhe vendosi rekord të ri për fluturimin më të gjatë komercial në histori

Nga D. V.
614 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Në avion ndodheshin 12 pasagjerë, midis tyre pilotë të „Qantas“ dhe ekuipazh e inxhinierë nga „Airbus“.

Një avion i kompanisë australiane „Qantas“ përfundoi fluturimin më të gjatë komercial në histori, duke qëndruar në ajër më shumë se 24 orë para se të ulëj në Tuluzë, Francë. Ky fluturim historik është një hap kyç për projektin e pritur prej kohësh „Sunrise“, i cili parashikon futjen e fluturimeve direkte nga bregu lindor i Australisë për në Londër dhe Nju Jork nga viti 2027.

Avioni i veçantë i modifikuar „Airbus A350-1000ULR“ u ngrit nga Melburni më 27 korrik në orën 17:27 me kohën lokale, ndërsa në selinë e „Airbus“ në Tuluzë u ul të nesërmen në orën 09:52. Fluturimi zgjati gjithsej 24 orë e 24 minuta, gjatë të cilit u përshkuan 23.075 kilometra mbi Oqeanin Paqësor, SHBA, Kanada dhe Oqeanin Atlantik.

Me këtë u thyen rekordi i mëparshëm prej 22 orësh e 42 minutash, i vendosur në vitin 2005 nga një avion „Boeing 777-200LR“ gjatë një fluturimi provë nga Hong Kongu në Londër.

Fluturimi ngjalli interes të madh në publik. Gjatë përgatitjes për ulje, avioni bëri një rrotullim të shkurtër mbi aeroportin, të cilin e ndoqën më shumë se 120.000 njerëz drejtpërdrejt përmes platformës „Flightradar24“. Gjithsej 3,6 milionë njerëz ndoqën lëvizjen e tij, duke e bërë këtë fluturim të dytin më të ndjekur në historinë e platformës, menjëherë pas fluturimit me të cilin u transportua arkivoli i mbretëreshës britanike Elizabetës së Dytë.

Për të mundësuar fluturime ultra të gjata, avioni është pajisur me një rezervuar shtesë karburanti prej 20.000 litrash. Gjatë misionit, inxhinierët testuan funksionalitetin e sistemit të karburantit, nivelin e zhurmës në kabinë dhe qarkullimin e ajrit. Në avion ndodheshin 12 pasagjerë, midis tyre pilotë të „Qantas“ dhe ekuipazh e inxhinierë nga „Airbus“.

„Qantas“ ka porositë 12 avionë të tillë, secili me kapacitet 238 pasagjerë. Dorëzimi i parë pritet në prill 2027, ndërsa fluturimet e rregullta direkte midis Sidneit dhe Londrës duhet të fillojnë në tetor të të njëjtit vit. Linja e re do ta shkurtojë udhëtimin e mëparshëm shumëditor në një fluturim të vetëm direkt që zgjat 19 deri në 21 orë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër