Shkup, 3 gusht, Zhurnal.mk – Takimi i sotëm në Prishtinë mes Ziadin Selës dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nuk është vetëm një vizitë e zakonshme. Nga pikëpamja politike e Maqedonisë së Veriut ky takim ngre pikëpyetje të reja mbi rolin e Lidhjes Shqiptare dhe ambicien e saj për të hyrë në përbërjen aktuale qeveritare, shkruan Zhurnal.
Takimi Sela-Kurti ngrit pikëpyetje të reja
Ziadin Sela ka ndërtuar profilin e tij politik si figurë e pavarur, shpesh kritike ndaj strukturave tradicionale të partive shqiptare në vend. Por takimi me Kurtin një lider që gëzon ndikim të konsiderueshëm moral dhe politik tek elektorati shqiptar në rajon mund të sinjalizojë një rikthim të Selës në skenën e madhe politike, tashmë jo vetëm si opozitar, por si partner potencial qeverisës. Nëse Kurti ka hapur derën për koordinim më të ngushtë politik, atëherë pyetja që shtrohet natyrshëm është a po i hapet Selës rruga për t’u bashkangjitur koalicionit aktual qeveritar në Shkup?
Ky takim vjen në një moment kur qeveria kërkon stabilitet të brendshëm dhe mbështetje më të gjerë politike, sidomos në çështjet që prekin komunitetin shqiptar. LSH, si subjekt i ri, mund të shihet si partner i dobishëm për të zgjeruar legjitimitetin politik dhe për të balancuar raportet mes partive shqiptare.
Nga ana tjetër, për Selën, hyrja në koalicion do të ishte një rikthim strategjik në qendër të vendimmarrjes, duke i dhënë partisë së tij peshë institucionale dhe hapësirë për të ndërtuar profilin e vet programor.
Kujtojmë që, në politikë takimet e tilla rrallë herë janë rastësore, dhe shpesh sinjalet e para vijnë pikërisht nga Prishtina.
