Shkup, 9 gusht Zhurnal.mk – Fundjava është koha ideale për pushim, kafe, biseda dhe për të gjetur ekuilibrin mes planeve dhe buxhetit familjar. Të dhënat më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se ku kemi shpenzuar më shumë gjatë muajit të kaluar dhe si dukej tabloja e çmimeve në korrik.
Edhe pse kostoja e jetesës në korrik shënoi rritje vjetore prej 2,3 për qind, në nivel mujor tregu tregon shenja qetësimi dhe stabiliteti, duke i dhënë buxhetit familjar pak hapësirë për të “marrë frymë”, raporton 4news.mk.
Nëse këtë verë vendosët të shijoni aktivitete rekreative, dalje në restorante apo thjesht momente relaksi, me siguri keni vërejtur se çmimet janë rritur. Statistikat konfirmojnë rritjet më të mëdha vjetore në kategoritë e mëposhtme:
- Pijet alkoolike dhe duhani: rritje e lartë prej 9,5%
- Rekreacioni dhe sporti: rritje prej 5,7%
- Restorantet dhe akomodimi: rritje prej 4,4%
- Transporti: rritja më e ulët vjetore, prej vetëm 1,1%
Asnjë kategori në krahasimin vjetor nuk ka shënuar ulje, çka konfirmon se shpenzimet e përgjithshme të jetesës janë ende më të larta se vitin e kaluar.
Ushqimet sjellin lehtësim për qytetarët
Ajo që i gëzon më shumë qytetarët është qetësimi i çmimeve të produkteve bazë.
Krahasimi mujor mes korrikut dhe qershorit tregon se inflacioni pothuajse ka stagnuar, me një rritje minimale mujore prej vetëm 0,1%.
Kontributin kryesor në këtë situatë e ka dhënë ulja e çmimeve të ushqimeve:
- Ushqimet dhe pijet joalkoolike në korrik u liruan me 1,1% krahasuar me qershorin.
- Produktet bujqësore me pakicë shënuan një rënie edhe më të madhe, prej 3,1%.
- Në nivel vjetor, produktet ushqimore me pakicë shënojnë një korrigjim të lehtë në rënie prej 0,2%.
Transporti nën ndikimin e çmimeve të karburanteve
Rritja më e theksuar mujore në korrik u regjistrua te transporti, ku shpenzimet u rritën me 4,4% brenda një muaji, kryesisht për shkak të lëvizjeve të çmimeve të derivateve të naftës.
Megjithatë, kjo rritje për momentin nuk ka shkaktuar efekt zinxhir dhe as një valë të re shtrenjtimesh te produktet e tjera bazë.
Lajmi pozitiv për fundjavën është se oferta verore e produkteve të freskëta po sjell çmime më të qëndrueshme, duke mundësuar planifikim më të lehtë të buxhetit familjar dhe aktiviteteve gjatë fundjavës.
