Shkup, 10 gusht Zhurnal.mk – Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, ka pritur sot në takim kryetarin e Komunës së Tearcës, Daut Memishi, me të cilin ka diskutuar për projektet aktuale dhe mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në fokus të takimit ka qenë përmirësimi i infrastrukturës dhe krijimi i kushteve më të mira për banorët e Komunës së Tearcës, me theks të veçantë në zhvillimin e qëndrueshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe zbatimin e projekteve në përputhje me parimet e kthesës së gjelbër.
Ministri Hoxha dhe kryetari Memishi kanë diskutuar edhe për nevojën e sigurimit të mbështetjes financiare dhe teknike për realizimin e projekteve kapitale të planifikuara në komunë.
Nga takimi është theksuar rëndësia e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ndërmjet institucioneve qendrore dhe pushtetit lokal, me qëllim që investimet e planifikuara të realizohen në mënyrë sa më efikase dhe brenda një afati sa më të shkurtër.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komuna e Tearcës do të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë për avancimin e projekteve infrastrukturore dhe mjedisore, në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve të Tearcës.
