Ali Ahmeti përkujton 62-vjetorin e ndarjes nga jeta të Fazli Grajçevcit: Simbol i rezistencës dhe i flamurit kombëtar

Nga R.ZH
1,177 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 gusht, Zhurnal.mk – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka përkujtuar 62-vjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të njohur kombëtar Fazli Grajçevci, duke vlerësuar figurën dhe kontributin e tij në mbrojtjen e identitetit dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve, përcjell Zhurnal.mk.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ahmeti theksoi se Fazli Grajçevci ishte një ndër figurat më të shquara të rezistencës kombëtare shqiptare, i cili jetën ia kushtoi idealeve të lirisë, gjuhës dhe identitetit kombëtar.

“Teksa shënojmë 62-vjetorin e ndarjes nga jeta të Fazli Grajçevcit (1935–1964), kujtojmë me nderim plejadën e veprimtarëve kombëtarë që sakrifikuan lirinë dhe jetën e tyre për flamurin, gjuhën, identitetin dhe çështjen kombëtare”, ka shkruar Ahmeti.

Ai rikujtoi se Grajçevci, i njohur edhe si “simboli i flamurit”, u arrestua në vitin 1964 nga policia sekrete jugosllave dhe, pas 14 ditësh torturash, ndërroi jetë në burgun e Prishtinës më 17 gusht të atij viti.

Sipas Ahmetit, sakrifica e Fazli Grajçevcit mbetet pjesë e pandashme e kujtesës kombëtare dhe dëshmi e çmimit të lartë që shumë veprimtarë shqiptarë paguan për lirinë dhe të drejtat kombëtare.

“Lavdi jetës dhe veprës së Fazli Grajçevcit”, ka përfunduar Ahmeti në mesazhin e tij përkujtimor.

Fazli Grajçevci konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të lëvizjes kombëtare shqiptare në Kosovë, ndërsa veprimtaria dhe sakrifica e tij vazhdojnë të kujtohen si simbol i qëndresës për liri dhe identitet kombëtar. (Zhurnal.mk)

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër