LSDM: Gostivari pa ujë të sigurt, Shkupi me ethe të Nilit Perëndimor, Klekovski dhe Mickoski nuk mund ta mbrojnë shëndetin e qytetarëve

Nga I.A
704 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 18 gusht, Zhurnal.mk – Opozita LSDM në konferencën e sotme për media drejtoi kritika të ashpra ndaj Qeverisë, kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit të Shëndetësisë Sasho Klekovski, duke i akuzuar për paaftësi dhe kolaps të sistemit në përballimin e krizave shëndetësore në Gostivar dhe Shkup.

Partia theksoi se ndërkohë që qytetarët përballen me kërcënime epidemiologjike, institucionet kompetente nuk marrin masa të duhura.

„Me Mickoski, Klekovski dhe VMRO-në, shëndeti i qytetarëve është i rrezikuar. Klekovskit dhe Mickoskit u ndodhën dy kriza shëndetësore, por ata shkuan me pushime, në ekskursione. Në vend të parandalimit, reagimit të menjëhershëm dhe zgjidhjes, në të dyja krizat pamë kolaps të plotë të sistemit dhe paaftësi të Klekovskit dhe VMRO-së“, thuhet në kumtesën e LSDM-së.

Sa i përket gjendjes me ujin e pijshëm në Gostivar, opozita theksoi se ende nuk ka dokumente zyrtare për sigurinë e tij.

„Në Gostivar, qytetarët u helmuan, me javë të tëra pa ujë të sigurt për pije. 5.000 qytetarë përfunduan në spital. Pas pesë javësh, edhe tani kur thonë se uji është i sigurt, nuk është publikuar asnjë dokument zyrtar që ta konfirmojë këtë. Rezultatet e analizave të ujit, të cilat nuk publikohen tashmë pesë javë, sjellin pasiguri dhe krijojnë panik te qytetarët. Nëse gjithçka është në rregull, pse rezultatet nuk janë publikuar deri tani, kur testimet bëhen çdo ditë? Çfarë fshihet nga qytetarët, ndërkohë që ministri thërret për transparencë? Do të publikojë rezultatet e vitit 2017, por nuk do të publikojë ato të sotmet. Kjo vetëm tregon se diçka nuk është në rregull“, thuhet në kumtesë.

Nga LSDM reagojnë edhe për përhapjen e virusit të etheve të Nilit Perëndimor në kryeqytet, duke theksuar se ka 35 raste të konfirmuara, tre raste me fatalitet dhe gjashtë persona në gjendje kritike në kujdes intensiv.

„Nga një krizë në tjetrën. Nga një kërcënim epidemiologjik në tjetrin. Përsëri me vonesë, tani masa, tani spërkatje. Kolaps dhe kaos total. Klekovski, si edhe shefi i tij Mickoski, i lanë qytetarët dhe shkuan në ekskursione. Ndërkohë që Klekovski e redukton luftën kundër virusit të Nilit Perëndimor në thirrje për raportim të sorrave të ngordhura dhe zbrazje të pishinave, qytetarët çdo ditë janë të ekspozuar ndaj rrezikut. Kjo është edhe një dëshmi për kolapsin e plotë të sistemit. Komunat nuk kryejnë spërkatje në kohë kundër mushkonjave. Qendrat e shëndetit publik nuk kanë kapacitet për kontroll sistematik entomologjik. Agjencia për Ushqim dhe Veterinari reagon vetëm deklarativisht, pa kontrolle masive të shpendëve. Rezultati është tragjik: qytetarë të sëmurë, raste fatale dhe pacientë në gjendje kritike. Në vend të aksionit sistematik sipas protokollit – ka heshtje, paaftësi dhe hedhje të përgjegjësisë mbi qytetarët“, shtojnë nga partia.

Për tejkalimin e gjendjes, opozita doli me listë kërkesash për veprim të menjëhershëm nga të gjitha organet kompetente.

„LSDM kërkon reagim të menjëhershëm dhe sistematik: ndjekje të popullatës së mushkonjave në territorin e qytetit të Shkupit, testim laboratorik të mostrave për praninë e virusit, dezinfektim masiv dhe shkatërrim të vatrave – kanale, moçale dhe sipërfaqe ujore. Të bëhet kontroll i menjëhershëm i shpendëve dhe i zogjve të egër, raportim dhe testim i zogjve të ngordhur. Dhe, më e rëndësishmja, koordinim institucional i menjëhershëm mes Ministrisë së Shëndetësisë, qendrave të shëndetit publik, komunave dhe Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari. Qytetarët nuk duhet të jenë i vetmi ‘alarm’ për epideminë. Qeveria duhet t’i mbrojë ata. Klekovski nuk mund ta sigurojë këtë dhe duhet të mbajë përgjegjësi“, njoftoi LSDM.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër