OEK lëshon certifikatën e parë “Made in Kosova”, të njohur ndërkombëtarisht

Nga D. V.
464 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 18 gusht, Zhurnal.mk – Oda Ekonomike e Kosovës ka lëshuar sot certifikatën e parë të Origjinës “Made in Kosova”, sipas standardeve ndërkombëtare, pas pranimit në Rrjetin Ndërkombëtar të Dhomave të Tregtisë (ICC) për lëshimin e Certifikatave të Origjinës.

Certifikata e parë iu lëshua kompanisë FLUIDI Group, ndërsa dokumenti iu dorëzua përfaqësuesve të kompanisë nga kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, dhe zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Jeton Mehmeti.

Sipas OEK-ut, ky zhvillim përbën një hap të rëndësishëm për bizneset kosovare, pasi certifikatat e origjinës “Made in Kosova”, të lëshuara sipas standardeve ndërkombëtare, rrisin besueshmërinë e dokumentacionit tregtar dhe lehtësojnë procedurat e eksportit në tregjet ndërkombëtare.

Për kompanitë kosovare, certifikata pritet të mundësojë një proces më të standardizuar dhe më të besueshëm për dëshmimin e origjinës së produkteve.

OEK vlerëson se kjo mund të kontribuojë në forcimin e pozitës së bizneseve vendore në tregtinë ndërkombëtare dhe në zgjerimin e eksporteve.

“Përfshirja në rrjetin ndërkombëtar të ICC-së dhe lëshimi i certifikatave sipas këtyre standardeve paraqet një avancim të rëndësishëm në shërbimet që u ofrohen bizneseve dhe në mbështetjen e tyre për të operuar më lehtë në tregjet globale”, thuhet në njoftimin e OEK-ut.

Oda Ekonomike e Kosovës ka uruar FLUIDI Group për marrjen e certifikatës së parë “Made in Kosova”, duke i dëshiruar kompanisë sukses në zgjerimin e aktiviteteve dhe prezencës së saj në tregjet ndërkombëtare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër