Shkup, 18 gusht, Zhurnal.mk – Rumen Radev, Kryeministër i Republikës së Bullgarisë ka deklaruar së fundmi se do të zhvillojë diplomaci dypalëshe aktive, parimore dhe kombëtare përgjegjëse me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Qeveria e udhëhequr nga ai mbështet “marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, por ato janë të lidhura me përmbushjen e detyrimeve të marra përsipër dhe mbrojtjen reale të të drejtave të bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”. Por, pyetja që shtrohet është se sa ka mundësi që Radev ta zgjidhë ngërçin me Shkupin zyrtar kur ai njihet një prej politikanëve që ka qenë më i ashpër me Maqedoninë e Veriut, shkruan “Zhurnal.mk”.
Bullgaria mbështet Maqedoninë e Veriut, por jo pa kushte
Prioriteti i politikës së jashtme të Bullgarisë përfshin edhe mbështetjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Maqedoninë e Veriut, por jo pa kushte, por duke përmbushur detyrimet e marra përsipër dhe duke mbrojtur vërtet të drejtat e bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në raportin mbi 100 ditët e qeverisjes së kryeministrit bullgar Rumen Radev, në pjesën që i referohet konkretisht marrëdhënieve midis Sofjes zyrtare dhe Shkupit, thuhet se ky prioritet duhet të arrihet deri në maj të vitit 2030.
Dokumenti thotë se Bullgaria mbështet zgjerimin si një instrument për stabilitetin në rajonin e saj.
E njëjta pjesë e programit parashikon forcimin e marrëdhënieve me vendet kandidate nga Ballkani Perëndimor, përkatësisht Serbinë, Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën e Hercegovinën, si dhe me Turqinë. Gjithashtu parashikon thellimin e partneritetit strategjik me Greqinë dhe Rumaninë, zhvillimin e marrëdhënieve me Qipron dhe intensifikimin e dialogut me Kroacinë.
Prioritetet e politikës së jashtme përfshijnë thellimin e marrëdhënieve dypalëshe me vendet anëtare të Bashkimit Evropian si një mjet për ndërtimin e koalicioneve mbi çështjet prioritare evropiane.
A mund Radev t’i rregullojë marrëdhëniet me Shkupin!
Stabilizimi politik në Sofje mund të ofrojë një mundësi për një rishikim të marrëdhënieve midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat kanë qenë të tendosura që kur Sofja vuri veton ndaj përparimit të Shkupit në procesin e pranimit në BE në vitin 2020.
Megjithatë, pritet që Radev do të vazhdojë të mbështesë kërkesën për ndryshime kushtetuese në Maqedoninë e Veriut për të përfshirë pakicën bullgare si një parakusht të panegociueshëm për përparimin në rrugën e anëtarësimit të vendit në BE.
Bullgaria këmbëngul që Maqedonia e Veriut duhet të ndryshojë Kushtetutën e saj për të përfshirë në mënyrë të qartë pakicën bullgare si një popull përbërës brenda shtetit. Si pasojë, ajo kërkon që Maqedonia e Veriut të rishikojë tekstet shkollore dhe monumentet publike për të hequr referencat që Sofja i karakterizon si “anti-bullgare”.
Rumen Radev do të vazhdojë të mbajë një qëndrim të rreptë ndaj Maqedonisë së Veriut, “duke pasur parasysh se si President ai këmbënguli në përfshirjen e një reference për një pakicë bullgare në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut”.
Kështu që një kompromis në procesin e marrëdhënieve dypalëshe mund të mos parashikohet lehtë, sepse në të njëjtën kohë, duhet përmendur se tema e marrëdhënieve bullgaro-maqedonase mungon në debatin publik-politik në Bullgari, ndryshe nga katër vjet më parë kur ishte në qendër të vëmendjes.
Nëse qeveritë teknike kanë qenë një justifikim si në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe në Bullgari për të mos u angazhuar më intensivisht në çështjet dypalëshe, megjithatë nuk pritet që, nën udhëheqjen e Radevit, të ketë një ndryshim të madh në marrëdhëniet dypalëshe, shkruan “Zhurnal.mk”.
Me ndikim nga BE-ja, Raqdev mund ta zbusë situatën
Megjithatë me ndikimin e Bashkimit Evropian dhe faktorëve të tjerë gjeopolitik, Radev mund të jetë personi më adekuat për të biseduar dhe gjetur një zgjidhje.
Edhe pse ai nuk ishte vetë krijuesi i problemit, Radev kontribuoi në ‘forcimin’ e marrëdhënieve dhe shpiku kushtin kryesor të ‘Ndryshimeve Kushtetuese’, të cilat tani po e pengojnë rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në BE.
Nuk ka gjasa që Radev, tani nga pozicioni i Kryeministrit, të ketë ndonjë qëndrim tjetër, ndërsa edhe qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE në Maqedoninë e Veriut nuk tregon ndonjë gatishmëri për të ecur përpara me ndryshimet Kushtetuese, pa garanci të forta se Bullgaria nuk do të bëjë pengesa dhe veto të mëtejshme në këtë proces.
Megjithatë, çdo ndryshim është në vetvete një mundësi e re për të çuar gjërat përpara dhe për të thyer ngërçin, sepse kur në dy anët ka qeveri që kanë shumicën e besimit të votuesve, atëherë edhe Radev edhe Mickoski kanë kredibilitetin të ulen e të diskutojnë. Kjo nuk do të thotë se mund të arrihet zgjidhje e menjëhershme, por të dy palët kanë autoritetin për ta zgjidhur këtë ngërç.
Vetë ndryshimi në qasjen e politikës së jashtme të BE-së të Bullgarisë është një sinjal pozitiv se Radev mund të ndryshojë mendjen. Nëse ai dikur ishte kundër zgjerimit dhe pro marrëdhënieve me Rusinë, sot është kundër Rusisë dhe pro zgjerimit, bile duke vënë afat vitin 2030, i cili korrespondon me politikën e BE-së për zgjerim drejt Ballkanit Perëndimor. Mbi të gjithë, me rëndësi është që Radev ka autoritetin dhe kapacitetin që të pranojë çfarëdo Maarrëveshje që mund të arrihet midis dy palëve dhe kjo nuk është e paarritshme, shkruan “Zhurnal.mk”.
