Gjykata e Lartë i hap Trumpit dritën jeshile për të shtrënguar rregullat e votimit me postë

Nga D V
521 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 25 gusht, Zhurnal.mk – Gjykata e Lartë e SHBA-së ka pezulluar përkohësisht, bllokimin ndaj planit të presidentit Donald Trump për të shtrënguar rregullat e votimit me postë, më shumë se dy muaj para zgjedhjeve të nëntorit për Kongresin.

Gjykata ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse këto masa janë të ligjshme.

Megjithatë, vendimi i fundit i lejon administratës Trump të vazhdojë me zbatimin e planit për momentin.

Ende nuk është e qartë se si do të ndikojë kjo në zgjedhjet e 3 nëntorit dhe priten edhe sfida të tjera ligjore.

Trump kërkon që ndryshimet të hyjnë në fuqi përpara zgjedhjeve. Presidenti republikan deklaroi se masat synojnë parandalimin e mashtrimeve zgjedhore, ndërsa kritikët e akuzojnë se po përpiqet ta bëjë më të vështirë votimin për demokratët, pasi votuesit e tyre kanë pak më shumë gjasa të votojnë me postë.

Një gjykatë në Boston bllokoi përkohësisht rregullat e reja dhe më pas e zgjeroi këtë ndalim në të 50 shtetet amerikane.

Gjykata argumentoi gjithashtu se administrata federale nuk kishte kompetencë për të vendosur rregulla mbi mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve, pasi kjo përgjegjësi i takon kryesisht vetë shteteve.

Gjykata e Lartë në Uashington, nuk ka vendosur nëse plani i Trump është në përputhje me Kushtetutën, por vetëm ka hequr bllokimin e përkohshëm.

Vendimi u mbështet nga gjashtë gjyqtarët konservatorë, ndërsa tre gjyqtarët e tjerë votuan kundër.

Në fund të marsit, Trump nxorri një urdhër që detyronte Shërbimin Postar Amerikan (USPS) t’u dërgonte materialet për votimin me postë, vetëm personave që figurojnë në listat e votuesve të përgatitura më parë nga shtetet.

Kjo do të ndryshonte rolin e postës amerikane, nga një institucion që thjesht shpërndan materialet zgjedhore, ajo do të përfshihej edhe në verifikimin nëse një person ka të drejtë të votojë.

Gjykatësja e gjykatës së shkallës më të ulët në Boston, kërkoi që rregullat ekzistuese të mbeteshin në fuqi deri në zgjedhje.

Ajo paralajmëroi se kishte mbetur shumë pak kohë për t’u shpjeguar votuesve se si mund të ndikonin ndryshimet tek ata, nëse dëshironin të votonin me postë.

Sipas saj, urdhri i Trump mund të shkaktonte paqartësi dhe kaos në procesin zgjedhor.

Padia kundër masave është ngritur nga organizata jopartiake, të cilat thonë se synojnë të rrisin pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje.

Në zgjedhjet e 3 nëntorit, do të zgjidhet e gjithë Dhoma e Përfaqësuesve dhe rreth një e treta e Senatit amerikan.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër