U votua gjatë natës dhe u dekretua në mëngjes nga Presidenti, botohet në Fletoren Zyrtare Ligji i formulës së re të pagave të magjistratëve

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 18 shtator, Zhurnal.mk – Ligji që ndryshon mënyrën e përcaktimit të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është botuar tashmë në Fletoren Zyrtare, duke hyrë zyrtarisht në fuqi.

Ligji nr. 95/2026 u miratua nga Kuvendi në orët e para të mëngjesit të 18 shtatorit, rreth orës 01:30. Gjatë paradites, ai u dekretua nga Presidenti Bajram Begaj dhe tashmë është publikuar në Fletoren Zyrtare.

Ndryshimet përcaktojnë se paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë do të jetë e barabartë me 0.38-fishin e pagës së Presidentit të Republikës, ndërsa indeksimi i saj do të bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, jo më vonë se dy vjet nga indeksimi i fundit.

Ligji parashikon gjithashtu se ndryshimi i pagës referuese bazë sjell efekte vetëm për gjyqtarët, prokurorët dhe anëtarët e kryetarin e Gjykatës Kushtetuese. Për funksionarët dhe nëpunësit e tjerë publikë që kanë paga të lidhura me pagën e gjyqtarit apo prokurorit, do të vijojë të përdoret paga referuese bazë e përcaktuar përpara vendimit nr. 15, datë 17 shkurt 2026, të Gjykatës Kushtetuese.

Ligji hyn në fuqi menjëherë dhe shtrin efektet financiare nga 1 prilli 2023, vetëm për pagat e gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve dhe kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër